FB

September 28, 2021 | 8:15

Nga Edlira Çepani / Dita e fundit!

Po sikur nesër të ishte vërtetë dita e fundit? Disa nga shprehjet që na bombardojnë më shumë në rrjetet sociale e nëpër diskurse motivuese, janë “carpe diem”, jetoje jetën si të ishte dita e fundit e të tjera si këto.

Një nga këto ditë zbulova një shkrim të para disa viteve ku kisha shkruar se çfarë do të bëja nëse do të ishte dita ime e fundit në këtë botë. Zbulova që kishin kaluar shumë vite dhe unë nuk kisha bërë as gjysmën e gjërave që kisha shkruar…

Nuk e di nëse është nga deliri i mendimit që jemi të përjetshëm mbi këtë tokë, nga mohimi i faktit që jemi të gjithë të përkohshëm apo thjesht nga fakti që na duhet ndërkohë të mbijetojmë në këtë botë të egër që na ka rënë për pjesë, që neve nuk i japim asnjëherë rëndësinë e duhur kësaj shprehjes: “Jeto sikur të ishte dita e fundit”. Në fakt, nëse do e jetonim jetën sikur të ishte dita e fundit, çfarë do bënim specifikisht? Njeriu zgjohet në mëngjes me 100 detyrime që e presin zgjuar mbi kokë, si ata zinxhirët e mëdhenj që mbajnë të lidhur të burgosurit.

Faturat për t’u paguar, puna për t’u mbaruar, detyrat për t’u bërë dhe rutina për t’u plotësuar… Ndërkohë, ato gjërat që do bënim nëse do ishte dita e fundit, mbeten për një ditë më pas, pastaj një javë më pas, pastaj ndoshta i harrojmë fare se kalon shumë kohë. Përpjekja për mbijetesë duket sikur e mbyt përpjekjen për ta jetuar jetën ashtu siç meriton të jetohet, veçanërisht në një vend si i yni, ku mbijetesa bëhet mënyrë jetese.

E megjithatë, e jetojmë jetën duke projektuar në të ardhmen atë që nuk bëjmë dot në të tashmen. Nesër do i kushtoj patjetër pak kohë vetes, pasnesër do dal për vrap, nesër do marr patjetër prindërit në telefon dhe do shkoj t’i takoj, se dje dhe sot më mbytën punët, nesër do e bëj patjetër atë lojën që fëmijët kanë kohë që ma kërkojnë, nesër do ia them patjetër të gjithë njerëzve që dua se sa shumë i dua, sa të mbaroj këto gjërat që më mbytën sot. Një ditë do ta bëj atë udhëtimin që dua, do ulem me qetësi dhe do u them njerëzve gjërat e bukura që mendoj për ta, ndoshta dhe ato më pak të bukura. Një ditë do ta realizoj atë ëndrrën në sirtar, por për momentin… duhet të bëj gjërat që duhet, jo ato që dua. Dhe duke bërë atë që duhet, vazhdoj të shtyj atë që dua dhe më pas, të mos gjej më kohë as për ta menduar, se sa më shumë kalon koha aq më shumë rriten detyrimet, ato gjërat që “duhen”.

Në këtë luftë të brendshme dhe të vazhdueshme që ke mes vetes dhe botës, sheh gjithë ato fjalimet motivuese që të thonë që duhet të zgjedhësh gjërat që do, të bësh atë që do dhe ta bësh sot, sikur të ishte dita e fundit. Pastaj sheh ato filmat ku dikush vendos të lërë punën, të lërë gjithçka dhe të bëjë xhiron e botës për të njohur vetveten dhe për të jetuar jetën (filmi s’e tregon asnjëherë si i paguajnë ata faturat) dhe kjo lufta mes vetes të bëhet edhe më e ashpër, se të duket sikur je vetëm ti që nuk ke kurajë dhe që gjithë të tjerët ia dolën. Pastaj kur i sheh gjërat nga afër, sheh që kjo lufta është reale dhe e vazhdueshme, për të gjithë, edhe për ata që e reklamojnë ndryshe.

Lufta për ta jetuar ditën në të gjithë kompleksitetin e vet, për t’i bërë të gjitha, për t’i kënaqur të gjithë, për të kënaqur edhe veten, kjo përpjekja që të lodh aq shumë sa pastaj të kthehet në “boomerang” e t’i shpenzon keqazi edhe ato pak energji që kishe. Ndaj ndoshta ta jetosh jetën sikur të ishte dita e fundit do të thotë thjesht të vendosësh në ekuilibër disa prioritete, ndoshta edhe të ngjisësh një nga një çdo ditë shkallët drejt atyre ëndrrave që nuk realizohen brenda një dite.

Ndoshta të mësosh ta duash jetën pak me të thjeshtë, paqenë thellësisht kritik ndaj vetes, ndoshta të gëzohesh me gjërat e vogla, por që janë realisht më të vlefshmet, ndoshta pse jo, ta bësh edhe atë listën e gjërave që do të bëje nëse do të ishte dita e fundit, sepse një ditë do të jetë… dhe kur t’i vijë koha e të shohësh pas, ta dish që ti i jetove ditët e tua, pa formula magjike, por ndoshta thjesht duke mos e harruar balancën e artë mes asaj që “duhej” e asaj që “doje”.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top