FB

July 15, 2022 | 7:45

Nga Edlira ÇEPANI / Gara e pushimeve në rrjetet sociale

Në një bisedë mes miqsh ku të parët pyesin “Ku keni qenë gjithë këto ditë, s’jeni dukur fare…” e të dytët përgjigjen “Disa ditë pushime!” pyetja e menjëhershme e radhës nuk është “Ku, me kë, etj” por, “Si ka mundësi që nuk vutë asnjë foto në rrjetet sociale?!”

Veçanërisht kur nis periudha e verës fillojmë të ëndërrojmë për disa ditë pushime, disa në bregdet, disa në mal e kudo tjetër, por të gjithë me dëshirën për të bërë diçka ndryshe, që na shkëput nga rutina dhe na lejon të pushojmë. Përtej dëshirës personale me të cilën shohim nga dritarja e zyrës, duke shpresuar që pushimet të nisin sa më shpejt, sidomos që të jenë në vendin e duhur e me njerëzit e duhur, ka një bombardim të madh postimesh në rrjetet sociale, nga pushimet e çdokujt tjetër. Është kthyer thuajse në tendencë që çdo element i pushimeve, të kthehet në një foto dhe në një postim në rrjetet sociale. Bombardimin e parë e bëjnë patjetër influencuesit në rrjetet sociale në formë reklame për hotelet, plazhet apo eventet e ndryshme dhe më pas në po të njëjtat vende, në po të njëjtin kënd fotografik, madje shpesh edhe me veshje të ngjashme, i pasojnë edhe njerëz të tjerë.

Kënaqësia e pushimeve është edhe të ndajmë me miqtë kohë në rrjetet sociale, të ndajmë vende të bukura që shohim, të promovojmë turizmin që vlen, por nga ana tjetër duket sikur është kthyer në një garë se kush vë foton më të bukur, në vendin më luksoz, kush bën “check-in” në vendet më në modë dhe pushimet e kujt u ngjajnë më shumë atyre të katalogjeve. Patjetër që pushimet janë një moment që ia dedikojmë vetes dhe atyre që duam, kemi më shumë kohë për foto dhe për t’u kënaqur, por tendenca për të bërë foto dhe postuar foto në çdo moment të pushimeve, mund të ketë tendencën të kthehet në një proces të lodhshëm e të stërzgjatur.

Në pjesën më të madhe të guidave dhe studimeve që gjenden online, për postin më të thjeshtë në rrjetet sociale, duhen nga 5 deri në 15 minuta, ndërkohë që për një post i cili është më profesional dhe i kuruar(me konceptimin e fotos, lidhjen me mesazhin, gjetjen e këndit, dritës dhe pozës së duhur, përzgjedhjen dhe përpunimin) duhen nga 15 deri në 60 minuta. Fotot që një “influencer” (model/e) bën në rrjetet sociale, në përgjithësi janë të kuruara nga një staf profesionistësh, që nga fotografia, tek grimi, tek veshja, etj, dhe të gjithë paguhen për këtë gjë, sepse e kanë pjesë të punës. Që t’u ngjajnë atyre, fotot e një njeriu normal gjatë pushimeve, duhet të marrin shumë kohë, shumë poza, të paktën një person që nuk përton t’i shkrepë çdo 5 sekonda dhe mbi të gjitha mendimin konstant “A kam arritur ta bëj foton time në vendin më në modë të momentit? A jam në pozën e duhur? A dukem se po kënaqem realisht shumë?”.

Të gjithë këto dilema, kohë, mund i shpenzuar e nga ana tjetër gara në rrjetet sociale se kush i ka bërë pushimet më të bukura, më duken një lodhje që për mendimin tim realisht nuk e meritojmë në ato pak ditë pushime që kemi gjatë vitit e mbi të gjitha, për çfarë na shërben realisht?Gjëja më e rëndësishme për pushime është që të kalojmë mirë, të shkëputemi pak nga rutina dhe stresi i përditshëm, ndaj nëse postet e fotot në rrjetet sociale na ndihmojnë për këtë, është shumë mirë, por nëse na kthehen në një përpjekje stresuese për “garën e pushimeve”, atëherë ndoshta duhet ta rimendojmë edhe njëherë për çfarë kemi realisht nevojë gjatë këtyre pushimeve. Nga ana tjetër dhe kjo pak më sociale, në një vend të vogël si Shqipëria me një përqindje të madhe të popullsisë që jeton në varfëri ekstreme, a ka vërtetë vlerë të mbushim rrjetet sociale me vende super luksoze që mund t’i përballojnë shumë pak njerëz në shoqërinë tonë? Kujt po i shesim luks apo mend?! Po kjo pastaj është një temë tjetër…

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 170

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top