Këndi i të rinjve

May 4, 2018 | 9:53

Nga Ledio Hala: Nuk duam të shohim më foto të rikonstruktimit të godinave, por duam të shohim buzëqeshje fëmijësh!

Një studim mbi dhunën ndaj fëmijëve në Shqipëri tregon se pjesa dominuese e të rriturve mendojnë se dhuna fizike dhe psikologjike ka ndikim pozitiv në edukimin e fëmijëve. Gjithashtu, 50 për qind e fëmijëve janë mësuar me idenë se dhuna është diçka e mirë në shtëpi edhe në shkollë. Besimi se “Ai që të rreh, të do” është shumë i përhapur tek prindërit, mësuesit, dhe fëmijët.

Ledio Hala, studenti i vitit të dytë në degën Gjuhë-Letërsi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Ledio Hala, studenti i vitit të dytë në degën Gjuhë-Letërsi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Dhuna fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve në Shqipëri është një fenomen i shpeshtë në shtëpi dhe qendrat e kujdesit rezidencial. Ky është një konstatim i UNICEF që në vitin 2006, për dhunën ndaj fëmijëve në Shqipëri. Doemos, shoqëria shqiptare është një nga rastet studimore më të spikatura për fenomenin e dhunës. Fenomeni i dhunës përhapet pikërisht atëherë kur dhuna bëhet normale,  pjesë e pandashme e një shoqërie. Dalëngadalë njerëzit fillojnë të automatizohen dhe të krijojnë idenë se asgjë nuk funksionon pa dhunë, dhe se dhuna, qoftë psikologjike, fizike etj, është e natyrshme dhe gjëja e duhur.

Më pas vjen stadi tjetër: këta njerëz nuk mund ta konceptojnë dot marrëdhënien paqësore, me dashuri reciproke, me qetësi e çdo gjë kërkojnë ta zgjidhin nëpërmjet dhunës. Dalëngadalë këta njerëz fillojnë të krijojnë modele dhe sisteme të cilat i transmetojnë brez pas brezi, dhe brezat sa vijnë e bëhen më të dhunshëm. Kjo është një sintezë e thukët e leximeve të mia për dhunën në një shoqëri.

1

Problemi nuk është evidentimi, por zgjidhja. Si duhet të veprojmë kur dy “përbindësha” të “Shtëpisë së Fëmijës” dhunojnë jetimët (i shtyjnë, i godasin, bërtasin, i lënë pa pastruar, dhe i shajnë deri në banalitet me shprehje të tilla si p.sh: “Pse je kaq kurvë?” Kush do i mbrojë këta fëmijë pa prindër? Pse institucionet nuk reagojnë? Ky është një tjetër rast, i mosfunksionimit të duhur të institucioneve. Po njerëzit, pse nuk reagojnë, kur është përgjegjësia e secilit prej nesh të reagojë? Ata fëmijë janë pjesë e shoqërisë sonë dhe kanë nevojë për ne. Ne jemi të dhunshëm, sepse ne nuk reagojmë, sepse ne nuk duam t’ia dimë për një pjesë të shoqërisë sonë. Akoma nuk arrini ta kuptoni që ne jemi njësi të një sistemi që quhet SHOQËRI dhe që përbëhet nga shumë njësi, e nëse njëra nga njësitë nuk funksionon, atëherë i gjithë sistemi SHOQËRI nuk funksionon?!

I dashur shtet!

Nuk duam të shohim më foto të rikonstruktimit të godinave, por duam të shohim buzëqeshje fëmijësh. Për këtë ka nevojë më shumë shoqëria jonë, për njerëz të lumtur, për njerëz të dashur. A është e mundur që të investoni për dashuri, harmoni, paqe, solidaritet?! A është e mundur që të vendosni një “taksë për dashurinë”?! Më besoni që kjo i mungon shoqërisë sonë.

A është e mundur që të reagoni menjëherë për këtë ndodhi dhe të filloni të merrni masa që të mos ndodhë më?! Nuk kanë nevojë fëmijët për ambiente. Njëherë e një kohë edhe shkolla ime 9-vjeçare u rikonstruktua, por jua garantoj që nuk e ndjeva ndryshimin, sepse njerëzit ishin po ata, të dhunshëm, produkte dhe modele të së kaluarës.

Parandaloni krijimin e modeleve të dhunshme. Nuk po kërkojmë një shoqëri utopike, sepse asnjëherë nuk mund të jetë çdo gjë perfekte. Kërkojmë ndërgjegjësim të të gjithëve!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top