Posta

April 13, 2018 | 10:06

Nga psikologe Adelina Pjetra: Fëmijë jashtë martese? Përgjegjësia dhe koha për t’i thënë të vërtetën

Situata ime është shumë e ndërlikuar. Kam pasur një lidhje 7 vjet. Mbeta shtatzënë, por partneri nuk donte që unë ta mbaja atë fëmijë. Ai kishte fëmijë të tjerë, gjë që ma bëri me dije vetëm atëherë. Atij nuk i duheshin më fëmijë, ndërsa unë isha në një moshë që nuk kisha kohë të bëja aborte, dhe e mbajta pa dëshirën e tij.

indexPor, problemi ishte se, në fillimet tona e donte shumë një fëmijë, gjë që unë nuk isha gati, sepse ai bënte një jetë dhe punë jo shumë të rregullt, dhe kjo gjë nuk më jepte siguri. Me kohë, fillova ta doja, sepse ai ishte shumë i përgjegjshëm.

Sot unë jam larg tij, dhe fëmija ynë është 5 vjeç. Ai nuk pranon as ta takojë dhe as t’i japë atësinë dhe as ët kontribuojë në rritjen e tij. Pavarësisht se mua më ka mbështetur familja ime pa fund, problemi im është që të paktën fëmija im të njohë dhe të dijë kush është babai. Nuk do të di si t’ia shpjegoj, se përse ai nuk ka një baba.

Ai nuk më jep as mundësinë që të flasim. “Nuk më intereson asgjë”, më thotë. Tani që unë jam prind vetë, nuk e di si ai merr frymë dhe nuk ka interes të mos njohë fëmijën e vet, nuk e di pse e bën këtë, sepse ai nuk është i martuar, nuk ka një grua në shtëpi, çfarë e ndalon atë?

Nuk i jap dot një përgjigje vetes. Kam 5 vjet që pres që ai ta kërkojë. Po torturoj veten duke pritur kur do ndodhë. Kam folur dy herë në vit. Ai nuk pyet kurrë si është, por vetëm më acaron që unë të shpërthej që mos ta marr më në telefon, por Zoti e di si e mbaj veten dhe si e kam shpirtin, se më dhimbset fëmija im.

Adelina Pjetra Psikologe Klinike Psikoterapiste BWRT & EMDR; Tel: 0697482338

Adelina Pjetra
Psikologe Klinike
Psikoterapiste BWRT & EMDR; Tel: 0697482338

E dashur zonjë. Ju vetë e thoni që është një histori e koklavitur. Fillimisht thoni që, mësuat se ish-partneri juaj kishte fëmijë tjetër, pikërisht kur ju njoftuat se ishit shtatzënë. Më pas ai ju thotë që nuk e dëshiron ketë fëmijë dhe ju vendosni ta mbani. Sigurisht keni të drejtën e këtij vendimi, por gjithashtu, besoj e keni marrë në konsideratë që duke marrë këtë vendim, keni marrë njëkohësisht mbi veten të gjitha përgjegjësitë mbi fëmijën. Nga shkrimi juaj, nuk e kuptoj cila është pyetja kryesore që më adresoni.

  1. Kërkoni atësinë për fëmijën tuaj ? – mund të ndiqni rrugën ligjore, duke kërkuar edhe testin e ADN-së, i cili më pas do të detyronte ish-partnerin tuaj të përgjigjet për kontributin që i detyrohet fëmijës (me ose pa dëshirën e tij, sepse është fakt dhe nuk mund të diskutohet më tej).
  2. Kërkoni që ish-partneri juaj, të marrë përgjegjësitë si babai i fëmijës në mënyrë vullnetare? – Ai jua ka bërë të ditur që në fillim që nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj (duke ju kërkuar ta ndërprisnit shtatzëninë). Një person që refuzon të jetë prind dhe të mbajë përgjegjësitë e tij që në fillim, nuk e di sa i përgjegjshëm do ishte tani pas 5 vitesh. Për më tepër, kur nuk shpreh asnjë lloj interesi për fëmijën e tij.
  3. Problemi juaj është si t’ia shpjegoni fëmijës tuaj të gjithë këtë histori ? – këtu do ju shërbente një këshillim psikologjik për t’ju ndihmuar dhe orientuar, pasi kuptoj që edhe ju ndodheni në çekuilibër në lidhje me këtë pjesë.

Në asnjë moment mos harroni që ju e dëshironit këtë fëmijë, ju dëshironit që ai të ishte me ju, pavarësisht të gjithave. Mund të filloni pikërisht nga kjo, për t’i shpjeguar me fjalë të përshtatshme për moshën e fëmijës, të vërtetën e jetës tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top