Marrëdhënie

November 16, 2018 | 11:41

Nga Reti Duka / Kompleksiteti emocional, ndarje pa urrejtje

Ai është i dashuruar. Gati-gati deri në çmenduri. Nuk i ka përjetuar kurrë më parë këto ndjenja. Shumë mirë për të. Por si ndjehet ish-gruaja e tij? Dosido, ata ishin prej shumë vitesh të martuar. Ishin vite shumë të lumtura. Në fillim të dashuruar, pastaj të martuar derisa ai njohu një tjetër. Papritur e pa kujtuar për gruan u shemb bota. Pa asnjë shpjegim, pa asnjë arsye, ai kërkoi ndarjen. Ajo e shokuar nuk kuptonte më asgjë. Ndërsa ai, pas ndarjes prezantohej i lumtur, i dashuruar, dorë përdore me tjetrën.

retiPër gruan pas gjendjes shokuese filloi urrejtja. Në çdo minutë të ditës nuk kishte mendime të tjera sesa si të hakmerrej ndaj tij. Ashtu si gjatë gjithë viteve bashkëjetesë, e dashuronte me gjithë fuqinë e shpirtit. Në këtë masë po kaq të fuqishme e urrente. Vazhdonte të priste lajme nga të tjerët që e njihnin se a ishte në krizë me tjetrën, a kishte ndonjë vështirësi, ndonjë të keqe. Dhe kur merrte lajme të tilla gëzohej. I bëhej zemra mal. Ndërkohë i kthente atij dhuratat që kish marrë prej tij në vite mbrapsht. Gjente njëmijë e një arsye për t’ia “nxirë” jetën. Shkruante letra kërcënuese anonime, dhe ëndërronte. I dëshironte me gjithë fuqinë e shpirtit edhe vdekjen e tij. Askush nuk e dinte për urrejtjen e saj. Ashtu-kështu nuk do ta kuptonte askush nga familjarët apo shoqëria e saj. Ajo nuk kuptonte as veten e saj.

Ne dimë tashmë shumë mbi marrëdhëniet në çift apo në lidhje, për fazat emocionale dhe çrregullimet neuronale. Por si të përballemi me ndjenjat e papritura të urrejtjes, shpeshherë nuk e dimë. Në përvojën time profesionale kam përjetuar shpesh ndjenja urrejtjeje, hakmarrjeje, acarim nga vetë personi. “Nuk e kisha menduar kurrë as vetë se do të arrija deri në këtë pikë”, kam dëgjuar shpesh në punën time. Në këto raste paraqitja e ndjenjave hakmarrëse, të urrejtjes së thellë deri te dëshira e vdekjes, nuk janë thjesht të momentit.

Ato janë tipike, reaksion i urrejtjes që shfaqet si pasojë psikologjike e vetë personit të lënduar. Urrejtja nuk ka lidhje direkte me ish të dashurin apo të dashurën, por me të lënduarin direkt, me konceptet për jetën e tij/saj. Nëpërmjet urrejtjes, hakmerresh ndaj faktit që nuk mundesh, nuk guxon më ta duash ish-in, nuk merr më dashurinë që dikur ke marrë prej tij. Papritur nuk je më ti personi që ai dashuron, por dikush tjetër.

Urrejtja është armiku i vetvetes!

Sepse të bllokon energjitë pozitive, nuk të lë të ecësh përpara, nuk realizon dot qëllimet e jetës personale apo individuale. Kush urren, shpenzon gjithë energjinë, duke menduar vetëm për tjetrin dhe është i verbër ndaj vetvetes. Për të eliminuar edhe pse mund të jeni trajtuar padrejtësisht, edhe pse keni të drejtë të ndjeheni të zhgënjyer, të tradhtuar, të përdorur vetëdijesohuni në 3 aspekte:

  1. Urrejtja nuk e ndryshon aspak situatën. Ju jeni të ndarë tashmë! Për këtë arsye, ndjenja të tilla nuk janë aspak të nevojshme.
  2. Ndjenjat hakmarrëse thellohen kur varësia ndaj tij/saj forcohet. Çdo impuls urrejtjeje mundëson për disa momente iluzionin e pavarësisë. “Unë jam njeri i pavarur”!
  3. Për të dalë nga spiralja e urrejtjes, duhet të forconi autonominë. Punoni për identitetin tuaj. Shiheni ndarjen edhe si një mundësi e mirë drejt autonomisë dhe gjetjes së vetvetes. Kjo është e vështirë, por është hapi i parë drejt lirisë.

Dhe kush ndjehet i lirë, apo është i lirë, ka mundësi të reja ku çdo gjë është e mundur. Edhe një dashuri e re! Për të ndodhur kjo, duhet të gjeni paqen dhe qetësinë shpirtërore me ish-in. Është shumë e vështirë të falësh, sidomos kur njëri partner është i zhgënjyer, i tradhtuar apo i keqpërdorur, por është shumë problematike për shëndetin psikologjik dhe fiziologjik të shpenzoni kohë, energji, duke menduar skena hakmarrjeje apo duke menduar vetëm të ndodhin gjëra të këqija me jetën e ish- it.

Përvojat negative nuk mund të rikuperohen më, por ato lehtësisht, pa urrejtje, mund të harrohen, të anashkalohen. Për të arritur në këtë fazë, kur ndahesh duhet të përshëndetesh njësoj sikur humbet njeriun e dashur të familjes. Thuaj me veten tënde: “Lamtumirë”!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 132

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top