FB

January 11, 2022 | 8:15

Posta nga Denata Toçe / Si ta kthej të dashurin në krahët e mi?

Përshëndetje! Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin, por do isha shumë mirënjohëse nëse do të më ndihmonit me disa këshilla. Po kaloj një periudhë të ngarkuar emocionalisht dhe psikologjikisht. Sapo më ka lënë personi për të cilin kam bërë sakrifica të pafundme, aq më tepër pa një arsye konkrete për t’u ndarë. Të vetmet fjalë që më ka thënë, kanë qenë: ‘s’dua të të shoh më kurrë, të urrej, nuk të dua më’. Dhe realisht nuk po kuptoj më veten ku isha gabim, sepse s’i kam bërë asgjë. Si t’ia bëj ta kthej këtë person? Ne ishim shumë mirë bashkë, ai ndryshoi papritur.

 

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Përshëndetje e dashur lexuese! Nga përvoja e gjithë këtyre viteve, mund të them se vështirësia më e madhe dhe iluzioni më lëndues, është të mendosh dhe veprosh për të ndryshuar një person tjetër. Aq më tepër kur ky person është pjesë e marrëdhënies ndërpersonale. Po nga kjo përvojë kam parë edhe zhgënjime shumë të mëdha, pikërisht nga shpresa e madhe se njerëzit që janë apo ishin aq pranë tyre, nuk janë ose ishin personat që ata mendonin. Kjo më ka çuar të reflektoj, se përse atëherë shumë prej nesh, edhe pas zhgënjimesh të mëdha, vazhdojnë të mendojnë se mund t’ia dalin?

Pse duam ne kaq shumë të ndryshojnë mendimet, ndjenjat, vlerat, besimet dhe qëndrimet e personave të tjerë? Duket sikur shumë prej veprimeve tona në këtë drejtim ia atribuojmë dashurisë. A është dashuria e mjaftueshme për t’iu futur këtyre ndryshimeve, ose më mirë, edhe MOS ndryshimeve. Ka edhe partnerë që nuk duan që njerëzit rreth tyre apo situatat jetike të ndryshojnë. Preferojnë ta mbajnë nën kontroll dhe të mendojnë se gjithçka shkon mirë.

Nuk mund ta di nëse edhe ju jeni pjesë e këtyre zakoneve njerëzore, por a mendoni se mund ta gjeni veten në këtë reflektim? E kam pak të vështirë të mendoj se partneri juaj ka ndryshuar brenda ditës, vetëm nëse një goditje shumë e rëndë cerebrale apo emocionale, mund të ketë shkaktuar ndonjë ndryshim kaq radikal sikurse thoni edhe ju (për pak humor kjo).

Vërtet mendoni se partneri juaj ju donte kaq shumë dhe ishit kaq mirë bashkë sa ky ndryshim ju duket i pavend? Përveç këtyre deklaratave të rënda “s’dua të të shoh më kurrë, të urrej, nuk të dua më”, mendoni se ka pasur raste të tjera të ngjashme që ju kanë fyer apo ju kanë bërë të ndjeheni në faj në raport me marrëdhënien tuaj? Sikur ju të ishit gabimi që kjo marrëdhënie nuk funksionon sikurse do të donit ju? Mendoni vërtet që një partner i cili ka kaq shumë dashuri dhe është ndjerë kaq mirë me ju do t’ju linte me këto fjalë zemërimi dhe urrejtje?

Unë mendoj se ju nuk keni asnjë faj në këndvështrimin tuaj. Është e drejtë në një marrëdhënie të shikoni nga vetja se ku keni gabuar dhe të kuptoni se si kjo mund të modifikohet duke gjetur mes vlerave dhe besimeve tuaja, pika të forta, por nuk mendoj se kjo marrëdhënie meriton të ridimensionohet nëse ju vazhdoni të mendoni se keni gabuar, krejt papritur.

Një marrëdhënie që të përfundojë, ose ka kohë që është në rënie mbi problematikat e saj, ose që prej fillimit ajo është një ngjizje e papërshtatshme. Pra, ose ndjenjat kanë ndryshuar, ose që prej fillimit ato janë keqvendosur. Në bëjmë të pamundur që marrëdhënia të funksionojë duke bërë sakrifica, ato që keni bërë edhe ju. Por a mjaftojnë ato për të “blerë” një dashuri?

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top