FB

March 23, 2021 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Vetëizolimi, djali ka humbur përqendrimin

Një situatë që nuk e deshëm, por në fakt na duhet ta kalojmë. Ajo që më shqetëson është humbja e përqendrimit tek mësimet e djalit 12 vjeç. Edhe pse u bëmë dy muaj dhe mësuesit po e bëjnë punën e tyre, atij i duket më shumë si kohë pushimi se sa shkollë nga shtëpia. Përpiqem me këmbëngulje e qetësi ta shtroj, por deri aty më merr shumë kohë e më del jashtëkontrollit edhe koha ime për detyrimet që kam si profesioniste, si grua, nënë. Si t’ia dal, duke qenë se ky vit arsimor do përfundojë duke qëndruar në shtëpi?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Këto muaj kanë qenë sfidues për shumë familje. Në fakt, “e vërteta” e mësimit online është se nuk i lehtëson përpjekjet e fëmijës për të qenë i përqendruar gjatë mësimit. Fëmijë që kanë një predispozitë për të qenë hiperaktivë dhe pa vëmendje, e kanë më të vështirë. Mësimi online e kufizon fëmijën që ta ndajë vëmendjen e tij edhe nga modelet sociale të shokëve të tyre, dhe kjo e ka përkeqësuar shpesh qëndrimin e fëmijës për një kohë të gjatë në detyra dhe gjatë mësimit.

Gjithashtu, fëmijët nuk i shprehin apo konsumojnë dinamikat e tyre fizike dhe emocionale me të tjerë përveç familjarëve, dhe kjo e ka vënë fëmijën në vështirësi, duke akumuluar më shumë stres dhe tension ose më mirë frustrim. Ndaj kjo lloj dembelosjeje që thoni ju, është pasojë e kësaj atmosfere. Mungon motivimi, dëshira për të bërë një rutinë e cila kërkon përpjekje. Duke mos qenë në sintoni me dinamika të tjera jashtë shtëpisë, trupi dhe mendja dembelosen dhe nuk kanë shumë motivacion për ta përfunduar me sukses ose jo një detyre.

Mënyra më e mirë është që detyrat e shtëpisë të mund të bëhen përpara një aktiviteti që atë e motivon në shtëpi, dhe të ndahen me kohë. Pas çdo detyre do të ketë pak pushim. Rekomandohet jo më shumë se 10 minuta. Gjatë këtyre minutave, fëmija mund të bëjë si të dojë ai. Kthimi në detyrë dhe ulja për të bërë detyrat menjëherë, do të shtojë minutazhin e pushimit me 2 minuta.

Nëse fëmija nuk ulet menjëherë do të qëndrojmë te minutazhi i zakonshëm. Por nëse për çdo ulje fëmija përfiton 2 minuta, pushimi mund të shkojë shumë i gjatë, ndoshta deri në 20-25 minuta. Është e rëndësishme të gjeni edhe alternativa të tjera shpërblimi, por motivojeni fëmijën që të “luajë” edhe ai me këtë detyrim, pra ta konsiderojë si një lojë me përgjegjësi, por sërish argëtimi do të jetë aty.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0684022192
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top