FB

March 5, 2021 | 8:35

Problematikat që nxori virusi, si ta rigjejmë erosin?

Erosi ka ndryshuar shumë kohë habitatin e tij, kjo vlen për disa kultura apo e thënë ndryshe disa zakone. I vlerësuar si proces intimiteti, e ka bërë atë edhe më shumë si një qasje ekzistencialiste për mbijetesën, jo vetëm të marrëdhënies por edhe asaj seksuale.

Nga Manjola BAÇI | M.Sc Psikologe Klinike

Çdo marrëdhënie ka një kod komunikimi, gjuhë sinjalesh, në të cilat ka kaq shumë dëlirësi. Vetëm aty çifti ndihet (ose për disa), përpiqet të japë maksimumin e vet. Por qëndrojnë gjithashtu edhe disa mekanizma përforcues ose shkatërrues, në varësi të roleve me faktor në vetëdijshmëri apo në mënyrë të pandërgjegjshme. Gjatë kësaj periudhe të gjatë qëndrimi në shtëpi, për këdo është cenuar rutina e përditshmërisë.

Ecuria e vazhdimësisë ka kthyer përmbys dinamikën sociale dhe personale të anëtarëve të familjes. Ka ndryshuar gjendja e humorit, e cila është si katalizator për stabilitetin emocional, ka ndikuar në marrëdhënien mes familjarëve, duke pësuar disbalancë në qëndrueshmërinë e besimit, vlerësimit ndaj vetes dhe përkundrejt partnerit. Mbyllja në shtëpi cenon deri diku lëvizshmërinë e aktivitetit motorik. Kjo sjell përçarje në komunikim me prindërit dhe konflikt me partnerin. Privimi sjell ngërçe në dinamikën e sjelljes dhe për pasojë, keqkuptime të njëpasnjëshme.

Nxitja e konflikteve ka pasur si tendencë prishjen e ekuilibrave dhe vështirësi në gjetjen e një zgjidhjeje për komunikimin. Sepse mungesa e dëshirës për të ndihmuar, përjetohet si tek i rrituri edhe tek fëmija. Tek fëmijët, ndryshimi i beftë i rutinës solli vështirësi ndaj mësimit online, pakënaqësi, natyrisht jo për të gjithë. Për të rriturit, partnerët midis tyre, nënshtrimi ndaj punëve dhe detyrave të shtëpisë solli pakënaqësi dhe debate. Për psikologët kjo qasje ka qenë e vështirë në gjetjen e alternativave se si t’i orientojnë marrëdhëniet që të gjejnë gjuhën, të ruajnë qetësinë, të bashkëpunojnë me fëmijët e tyre të vegjël por edhe adoleshentë për një marrëdhënie atraktive.

Personalisht si psikologe, gjatë këshillimeve online kam punuar dhe studiuar për të gjetur mënyra zgjidhëse mbi marrëdhëniet në çift por edhe ato familjare. Po rendis disa këshilla të provuara gjatë këtij konteksti, të cilat ka rezultuar shumë produktive. Mjafton dëshira e mirë për t’i aplikuar, dhe ndryshuar disa sjellje që mund të jenë të pavetëdijshme.

1.Fëmijët e kanë më të vështirë ndryshimin e menjëhershëm, ndaj këshillohet që të flitet më përpara me ta, sepse në situatën kur rrodhën, këto ndryshime nuk erdhën nga rrethi i brendshëm familjar, por ai institucional. Së pari, cilado qoftë mosha e fëmijës komunikoni sipas aftësive njohëse që ata kanë. Siguria dhe qetësia që do t’u përcillni, do t’i ndihmojë ata të jenë më bashkëpunues në detyrat që do ndani.

2.Adoleshentët kanë nevojë për hapësirë personale, ndaj ju duhet t’i ndihmoni që jo vetëm t’i krijojnë ato, por që as ju të mos i pengoni në qetësinë që duan. Duke mos i qortuar, por të krijoni së bashku një kalendar për ditët e javës, se si të jenë më të organizuar, do të ndani kështu pritshmëritë e të dy palëve.

3.Secili pjesëtar në familje kërkon vëmendje. Kjo qëndron edhe për të rriturit. Nuk mund të quhet sjellje fëminore, por një aspekt që rrit qëndrueshmërinë e vetëvlerësimit midis partnerëve. Vëmendja është kërkesë afeksioni, kështu organizoni që në drekë ose darkë të bëni ushqimin e preferuar të fëmijëve, dhe më vonë të përgatisni një tryezë romantike midis jush.

4.Kthehuni pas në kohë me albumin tuaj të dashurisë dhe flisni për dashurinë që keni përjetuar, batutat, kujtimet, qeshni duke u parë në sy, kjo teknikë nxit libidon.

5.Të kërcesh këngën që preferoni në çift, është alkimia fizike që ju nxit imagjinatën, dhe çlirimi do të vijë natyrshëm.

6.Një kërcitje gotash me verë, apo me pijen tuaj të preferuar, sjell lëshim përkëdheljesh.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 155

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top