Kur dikush na tregon një sukses apo një dështim personal, përgjigjja jonë nuk përcaktohet vetëm nga mënyra se si duam të dukemi para tij. Një studim i ri psikologjik sugjeron se njerëzit shpesh ndryshojnë atë që tregojnë për veten, duke u udhëhequr mbi të gjitha nga dëshira për të mbrojtur ndjenjat e personit me të cilin po bisedojnë.
Sipas hulumtimit, njerëzit kanë shumë më tepër gjasa të ndajnë me të tjerët dështime të ngjashme, sesa suksese të ngjashme. Gjetjet, të publikuara në revistën Organizational Behavior and Human Decision Processes, hedhin dritë mbi një aspekt të rëndësishëm të komunikimit njerëzor: mënyrën se si ne përshtatim rrëfimet tona bazuar në atë që sapo ka ndarë bashkëbiseduesi.

Nuk ka të bëjë gjithmonë me mënyrën si dukemi
Kur njerëzit tregojnë spontanisht për sukseset ose dështimet e tyre, shpesh mendohet se e bëjnë këtë për të ndikuar në mënyrën se si perceptohen nga të tjerët. Një sukses mund të përdoret për të dhënë përshtypjen e kompetencës, aftësisë ose arritjes. Në të kundërt, një dështim mund të ndahet për të kërkuar mirëkuptim, mbështetje ose simpati. Por bisedat reale janë më komplekse. Shpesh, ne nuk jemi personi i parë që tregon një histori personale. Fillimisht dikush tjetër na tregon se çfarë i ka ndodhur dhe më pas duhet të vendosim nëse do të ndajmë edhe përvojën tonë. Kjo situatë njihet si ndarje reaguese e rezultateve personale dhe ishte në qendër të studimit të ri.
“Shumë prej kërkimeve ekzistuese mbi vetë-zbulimin janë përqendruar te arsyeja pse njerëzit zgjedhin fillimisht të ndajnë lajme të mira ose të fshehin lajme të këqija, kryesisht nga këndvështrimi i mënyrës se si duan të paraqiten”, tha Irene Scopelliti, profesoreshë e marketingut dhe shkencave të sjelljes në Bayes Business School, për PsyPost. Por, siç theksoi ajo, bisedat nuk funksionojnë gjithmonë kështu, sepse shpesh njerëzit janë duke reaguar ndaj diçkaje që bashkëbiseduesi e ka treguar tashmë.
Pse nuk i përgjigjemi gjithmonë suksesit me sukses?
Teoritë tradicionale të komunikimit sugjerojnë se njerëzit kanë prirjen të pasqyrojnë tonin dhe përvojën e bashkëbiseduesit. Nëse kjo logjikë e reciprocitetit do të zbatohej në mënyrë të barabartë, një person do të duhej të kishte po aq gjasa t’i përgjigjej suksesit të dikujt me një sukses të vetin, sa ç’do të kishte për t’iu përgjigjur një dështimi me një dështim personal. Por studimi sugjeron se realiteti është më i ndërlikuar. Ndarja e përvojave personale është një proces emocional dhe mënyra se si njerëzit reagojnë mund të varet nga ndikimi që rrëfimi i tyre do të ketë te personi tjetër. Kjo mund të shpjegojë pse një person që sapo ka dëgjuar për dështimin e dikujt tjetër mund të jetë më i gatshëm të tregojë edhe dështimin e tij, duke krijuar një ndjenjë mirëkuptimi dhe solidariteti.
Dështimet mund të na afrojnë
Një pjesë e kërkimeve të mëparshme ka treguar se ndarja e dështimeve personale mund të ketë edhe pasoja emocionale pozitive në marrëdhëniet shoqërore. Një studim i vitit 2019, për shembull, zbuloi se kur njerëzit ndajnë dështimet e tyre, kjo mund të ulë ndjenjat e zilisë dashakeqe te personat që i dëgjojnë. Në këtë mënyrë, të tregosh se edhe ti ke dështuar mund të jetë më pak kërcënuese sesa të tregosh një sukses të ngjashëm. Nëse dikush na rrëfen se ka dështuar në një provim, ka humbur një mundësi pune apo nuk ka arritur një objektiv, përgjigjja “edhe mua më ka ndodhur” mund të krijojë ndjenjën se personi nuk është vetëm në përvojën e tij. Në të kundërt, përgjigjja me një sukses personal të ngjashëm mund të perceptohet si konkurruese ose si një përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen drejt vetes.
Dëshira për të mbrojtur të tjerët
Studiuesit propozojnë një shpjegim që e vendos personin tjetër, dhe jo veten tonë, në qendër të vendimmarrjes. Njerëzit shpesh përpiqen të mbrojnë ndjenjat e personave që kanë pranë. Kërkime të mëparshme kanë treguar se individët mund të zgjedhin të fshehin informacione personale për të shmangur shqetësimin ose vuajtjen emocionale të një personi të afërt. Duke u mbështetur në këtë ide, studimi i ri propozon një kuadër të orientuar drejt tjetrit për mënyrën se si njerëzit ndajnë informacionin personal gjatë bisedave. Pra, kur dikush na tregon një përvojë të vështirë, ne mund të zgjedhim të ndajmë një përvojë të ngjashme jo thjesht sepse duam të flasim për veten, por sepse duam t’i tregojmë bashkëbiseduesit se e kuptojmë, ta ngushëllojmë ose t’i bëjmë të ndihet më pak i vetëm. Në të njëjtën mënyrë, mund të zgjedhim të mos ndajmë një sukses të ngjashëm nëse mendojmë se kjo mund ta bëjë personin tjetër të ndihet më keq.
Një tjetër mënyrë për të kuptuar komunikimin
Gjetjet sugjerojnë se komunikimi personal nuk drejtohet vetëm nga pyetja “Si dua të dukem unë?”, por edhe nga një pyetje tjetër: “Si do të ndihet personi tjetër pas asaj që i them?” Kjo e zhvendos fokusin e kërkimeve mbi vetë-zbulimin nga vetë-prezantimi drejt një forme më të gjerë të empatisë dhe kujdesit social. Në fund, arsyeja pse njerëzit ndajnë një dështim mund të mos jetë gjithmonë dëshira për të kërkuar simpati. Ndonjëherë, thjesht duan t’i tregojnë tjetrit: “Edhe unë kam kaluar diçka të ngjashme.” Dhe pikërisht kjo mund të jetë arsyeja pse dështimet, ndryshe nga sukseset, shpesh bëhen më të lehta për t’u ndarë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

