Psikofakt

August 9, 2016 | 8:33

Rrënjët e mirënjohjes

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Pa diskutim që mirënjohja është virtyt. E kam fjalën për mirënjohjen te njeriu. Kjo vlerë njerëzore është, sigurisht, e vetëdijshme: dikush na bën një të mirë, një nder, jo thjesht në rrafshin material, por gjithashtu në atë shpirtëror, dhe edukata jonë e kërkon që t’i jemi mirënjohës.

Mirënjohja ekziston edhe te kafshët, por ajo është instinktive: kështu, dihet se qeni dhe kali i janë mirënjohës njeriut sepse ai i ushqen e i mirëmban; këtë lloj mirënjohjeje, francezët e quajnë “la reconnaissance du ventre”, pra, mirënjohja e barkut, që, mjerisht, vihet re edhe te njerëzit; kështu, për shembull, një numër individësh në gjendje të vështirë ekonomike u janë mirënjohës bosëve mafiozë për të mirat dhe nderet që u bëjnë me qëllime të caktuara, sigurisht. Kjo lloj mirënjohjeje nuk është fryt i edukatës, as detyrim moral, por një përpjekje e dëshpëruar për të larë një borxh të pandershëm. Por le të qëndrojmë te mirënjohja e mirëfilltë, pra, e virtytshme.

Dy janë skajet e padëshirueshme të mirënjohjes: së pari, kur e shprehim këtë mirënjohje me tepri: përfytyroni dikë, të cilit ju i keni bërë një të mirë apo një nder pa i kërkuar asgjë si kompensim; ky njeri nuk lë rast pa ua shprehur mirënjohjen e tij: për Vit të Ri, për Pashkë, për Bajram, për ditëlindjen tuaj, të gruas e të fëmijëve; për emërimin tuaj si ministër, ambasador, drejtor etj., etj.; me telefon fiks, me celular, me imejll; përmes shërbimesh të vogla në jetën tuaj të përditshme. Por vjen një ditë që mirënjohja e tij e vazhdueshme kthehet në bezdi, në stres, gati në makth.

Kjo mirënjohje këmbëngulëse e ka shtyrë filozofin francez La Rochefoucauld të thotë se “mirënjohja që ju shprehin shumica e njerëzve fsheh dëshirën e tyre që ju t’u bëni atyre të mira të tjera edhe më të mëdha”. Së dyti, kur e kërkojmë mirënjohjen me tepri duke ia përmendur tjetrit pareshtur të mirën apo nderin që i kemi bërë; kështu, tregojnë për dikë që po lagej në shi dhe që pati fatin të takojë një të njohur, cili e mori nën çadër, por që nuk pushonte së thëni, edhe kur doli dielli, se po të mos kishte qenë ai me çadrën e tij, bashkudhëtari do të ishte lagur shumë, do të ishte sëmurë etj., etj., aq sa ky i fundit vajti e u hodh në një pellg, pastaj doli që andej dhe i tha “bamirësit”: “A do të isha lagur më tepër se kaq po të mos më kishe marrë nën çadrën tënde?”. Këtë e ilustron edhe kjo thënie e filozofit francez Rousseau: “Mirënjohja është vërtet një detyrë që duhet kryer, por jo një e drejtë që mund të kërkohet me forcë”. Në fund të fundit, mos vallë nganjëherë ne u bëjmë të mira dhe ndere jo vetëm miqve, por sidomos të panjohurve, sepse egos sonë i pëlqen kur ia krehin bishtin, e miklojnë apo e lajkatojnë? Të jetë vallë ky haraçi që altruizmi ynë sipërfaqësor i paguan egoizmit tonë rrënjëthellë? Në qoftë kështu, atëherë filozofi francez Diderot paska të drejtë kur vë në gojën e një personazhi të tij këto fjalë: “Mirënjohja është një barrë dhe çdo barrë është bërë për t’u flakur!”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top