A nuk tingëllon bukur?! E nuk i referohem as C-së, as D-së as atyre MULTI.
Vitamina ime është koncepti im për individin që na frymëzon, që na jep dozën e nevojshme të energjisë, që na detoksifikon mendjen nga çdo negativitet i të përditshmes.
Vitamina simbolizon atë që na bën të qeshim, personin me të cilin duam të kalojmë kohë cilësore, ta dëgjojmë e të na dëgjojë personin me të cilin edhe një cigare 5 minutëshe shijon më shumë se një e dalë vanitoze.
Vitamina nënkupton dozën perfekte të mirëqenies së brendshme, stabilitetit emocional dhe paqes së mendjes.
Është emri spontan që na vjen ndërmend teksa na ndodhin gjërat e bukura, të cilat do donim t’i ndanim, apo “dora” pas së cilës do të donim të kapeshim në një moment të vështirë. Vitamina është një emër në ekranin e celularit, e teksa shohim që kemi një neë ëhatsapp na bën të buzëqeshim. Ky nocion simbolizon për mua një personalitet, për të cilin ndihemi me fat që e kemi në jetën tonë. Dikë që na shkëlqejnë sytë kur e shohim, që na influencon, me të cilin mund të jemi akademikët e përjetshëm apo të qeshim teksa komentojmë personazhet e librave që kemi lexuar. Vitamina është rregullatorja e sistemit imunitar emocional, është varësia më e shëndetshme ndaj pozitives, reaksioni kimik i pashpjegueshëm, që përkthehet në një vlerë të thjeshtë: KËNAQËSI.
Vitamina është një lloj stimuli për egon, motivimi i përditshëm për të nxjerrë në pah më të mirën e vetes, është një marrëdhënie speciale, unike, e çuditshme por e bukur…
Vitamina është një këngë e preferuar që të ngre humorin, një instrument që të ngjall dhjetëra emocione, është një film, është një rrugicë, është një destinacion i lumtur, por mbi të gjitha është një buqetë ndjesish, të gjitha të mbjella me shumë dashuri nga një individ i vetëm.
Në një botë si kjo, JI NJË VITAMINË!
Surround yourself with splendid things!!!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.