FB

September 10, 2021 | 8:10

Shkolla, prindërit dhe koronavirusi… Ne jemi një bashkësi

Shumica e njerëzve tani jetojnë mes orëve jashtë shtëpisë, për shkak të angazhimeve të punës dhe mbylljes të kufizuar në shtëpi. Nuk bëjmë më jetën e mëparshme, pasi pandemia na e ka bërë të pamundur jetesën si më parë. Duhet të jetojmë çdo orë me fëmijët dhe të bëjmë të mundur që kjo kohë të kalojë sa më mirë.

Nëse në ekranin e kompjuterit shumëfishohen mësimet virtuale që mësuesit kanë përgatitur për didaktikën në distancë, është rritur jo pa sakrifica edhe mundësia që prindërit të lidhen me fëmijët. “Ne jemi një bashkësi”, thoshte Hölderlin “dhe mund të dëgjojmë njëri-tjetrin”, pra jemi në një hapësirë ku duhet të jetojmë së bashku. Dhe tani që shtëpia është bërë e domosdoshme, duhet të jetë e zakonshme që t’i përgjigjemi me kurajë një bote, e cila në këto kohë është bërë e paevitueshme.

Në pjesën më të madhe të shkollave të të gjithë botës zilja nuk ka rënë për muaj: larg nga bangat e shkollës, edukimi i pothuajse 2 miliardë nxënësve është vënë në vështirësi të madhe. Sipas disa studimeve fëmijët e fillores, për shkak të mungesës së gjatë në shkollë, kanë humbur 20% të aftësive të të lexuarit dhe të të shkruarit. Ky është një skenar i vështirë, nga i cili mund të dalim.

Sipas ekspertëve, për të rihapur në siguri të plotë shkollën, është thelbësore të rizgjojmë një ndjenjë përgjegjësie kolektive, edhe për gjërat më të vogla të përditshmërisë, të cilat pa dyshim do të përmirësojnë sigurinë dhe qetësinë brenda mureve të shkollës. Kjo situatë ka përfshirë pa dyshim edhe fëmijët, të cilët, të detyruar të pësojnë mutacione të mënyrës së jetesës, kanë pësuar jo pak stres. Në fazën e parë të pandemisë, fëmijët patën një rol të rëndësishëm, të cilin duhet t’ua rikthejmë: na besuan ne të rriturve për t’i mbështetur dhe shoqëruar në një periudhë të vështirë, krahasuar me përditshmërinë që ishin mësuar të jetonin.

Fëmijët treguan se ishin të aftë të përshtateshin dhe të rezistonin e megjithatë, jo pak fëmijë kanë shfaqur irritim, ankth, apati, ndonjëherë edhe sjellje agresive. Në të gjitha këto raste shihet një nevojë ekstreme për siguri.

Sipas psikologëve dhe ekspertëve të fushës, prindërit janë ata që ndërtojnë çdo ditë një mjedis që rrit mundësitë që fëmijët të kenë arritur qëllimet e tyre të zhvillimit. Përballë një ngjarjeje kaq të jashtëzakonshme si pandemia me të cilën po përballet vendi ynë, nga prindërit kërkohet që t’i udhëheqin fëmijët në rrugëtimin e nevojshëm për përshtatjes.

Hyrje ku të ruhet distanca, klasa me grupe të vogla nxënësish, matja e temperaturës në hyrje, maska për më të mëdhenjtë, hapësira të mëdha për të bërë aktivitetet jashtë klasës… këto janë disa nga masat që duhet të marrin shkollat për të rinisur në siguri të plotë dhe për t’u lejuar të vegjëlve të takohen me bashkëmoshatarët e tyre pas kaq shumë muajsh largësi.

Është e nevojshme që të riaktivizohet edhe kthimi në outdoor education, një model didaktik i përdorur sidomos në Europën e Veriut, e cila bazohet në lidhjen mes natyrës dhe dhënies vlerë nevojave edukative të fëmijëve. Kemi përmbledhur një vademekum të vogël të listuar nga ekspertët, në mënyrë që të garantojmë një kthim të sigurt në bangat e shkollës:

Edukimi në natyrë: në respekt të plotë të distancimit social, fëmijët duhet të luajnë dhe mësojnë sa më shumë të jetë e mundur në vende të hapura, por sidoqoftë të sigurta.

Kushtojini vëmendje maksimale higjienës së duarve: stimulojini fëmijët me aktivitete që favorizojnë mbajtjen mend të larjes së duarve vazhdimisht. Ideale do të ishte edhe të instalohen aparatura higjienizimi në hyrje të klasave dhe të zonave të përbashkëta. Po ashtu, prindërit duhet t’i japin fëmijëve me vete higjienizues apo letra të lagura, në mënyrë që të pastrohen vetë dhe të pastrojnë bangën e tyre çdo ditë.

Ndihmojini fëmijët të orientohen në një botë të ndryshme: Përdorni njoftime, tabela sinjalizuese të hartuara për të dialoguar me fëmijët, falë dizajnit të thjeshtë dhe linear dhe një gjuhe të qartë dhe të efektshme që të jetë e thjeshtë, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos ndihet i çorientuar dhe si i humbur.

Caktoni një rutinë: Vendosja e një rutine është thelbësore, sidomos për më të vegjlit, sepse i ndihmon të orientohen në hapësirë, duke zhvilluar një siguri më të madhe në kryerjen e veprimeve të thjeshta të përditshme.

Rizgjoni ndjenjën e përgjegjësisë kolektive: Është e nevojshme që shkolla, familja dhe fëmijët të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e normave higjienike dhe të rregullave për të evituar një valë tjetër, së cilës i trembemi të gjithë. Pranvera dhe vera na shërbyen për të kuptuar sesa i rëndësishëm është kujdesi i të gjithëve për ta mbajtur virusin sa më larg që të jetë e mundur.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 159

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top