FB

May 19, 2022 | 8:48

Si ndikojnë mediat sociale në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve

Rrjetet sociale janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Për fëmijët dhe adoleshentët, përhapja e mediave sociale është rrënjosur në strukturën e jetës së tyre të përditshme. Ata mund të mos kujtojnë një kohë pa media sociale dhe për këtë arsye nuk do të jenë të vetëdijshëm për efektin që mund të ketë në shëndetin e tyre mendor.

 

Nga Elona Collaku, Psikologe, psikoterapiste

Fëmijët, adoleshentët shohin ose dëgjojnë disa herë në ditë lajme të shumta, përmes televizionit, radios, gazetave, revistave dhe internetit. Lajme të tematikave të ndryshme si; fatkeqësitë natyrore (tërmete, përmbytje etj.) ngjarjet katastrofike, raportet e krimit (vjedhje, vrasje, vetëvrasje etj.) Të gjitha këto ndikojnë në shëndetin mendor të tyre.

Mbulimi i detajuar dhe i përsëritur vizual dhe dëgjimor i tyre mund të ndikojnë tek ata duke përjetuar stres, ankth dhe frikë. Fëmijët dhe adoleshentët janë të prirur të imitojnë atë që shohin dhe dëgjojnë në lajme, një lloj efekti ngjitës i përshkruar si ngjarje “kopjuese”. Ekspozimi kronik dhe i vazhdueshëm ndaj lajmeve të tilla mund të çojë në frikë, mendime se bota është e frikshme dhe se diçka e keqe do t’u ndodhë atyre dhe tek disa të tjerë një rritje të sjelljeve agresive dhe të dhunshme.

Por si mund të pakësojmë efektet e mundshme negative të lajmeve tek kjo grupmoshë?

Kjo mund të arrihet nëpërmjet prindërve, mësuesve ose të rriturit e tjerë që shohin lajmet me fëmijën, adoleshentin duke folur për atë që është parë ose dëgjuar. Mosha, pjekuria, niveli i zhvillimit, përvojat e jetës dhe dobësitë e fëmijës, adoleshentit duhet të udhëzojnë se sa dhe çfarë lloj lajmesh duhet të shikojnë.

Disa udhëzime për minimizimin e efekteve negative të shikimit të lajmeve tek fëmijët janë:

  • Monitoroni sasinë e kohës kur fëmija juaj shikon emisione lajmesh.
  • Shikoni lajmet me fëmijën tuaj.
  • Pyeteni fëmijën se çfarë ka dëgjuar dhe çfarë pyetjesh mund të ketë.
  • Jepni siguri në lidhje me sigurinë e tij/saj me fjalë të thjeshta, duke theksuar se do të jeni aty për ta mbajtur atë të sigurt.
  • Kërkoni për shenja që lajmi mund të ketë shkaktuar frikë ose ankthe të tilla si probleme me gjumin, frikë të vazhdueshme, urinim në shtrat, të qara ose të flisni për frikën.

Prindërit duhet të mbajnë mend se është e rëndësishme të bisedoni me fëmijën për atë që ai/ajo ka parë ose dëgjuar. Kjo u lejon atyre të pakësojnë efektet e mundshme negative të lajmit, të diskutojnë idetë dhe vlerat e tyre.

Në rastin kur shenja të ankthit, stresit apo dhunës vërehen në ambientet e shkollës mësuesit duhet ti referojnë tek psikologu i shkollës, më pas ai diskuton me nxënësin për problematikën. Në disa raste psikologu e vlerëson të nevojshëm bashkëpunimin me prindërit. Ndërsa fëmijët nuk mund të mbrohen plotësisht nga ngjarjet e jashtme, prindërit, mësuesit mund t’i ndihmojnë ata të ndihen të sigurt dhe të kuptojnë më mirë botën përreth tyre.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top