FB

October 7, 2021 | 8:55

Si të jeni një bashkëshort i mirë

Ky artikull ju ofron këshilla sesi të jeni një bashkëshort ideal. Është detyrë e vështirë, megjithatë nëse sforcoheni sinqerisht për ta bërë sa më mirë këtë rol, do t’ia dilni mbanë. Të jeni një bashkëshort i përsosur mund të mësohet, ndaj ndiqni këshillat e mëposhtme.

Bëni kujdes ndaj faktit se partnerja mund të ketë një ide të ndryshme nga ju për dashurinë. Koha cilësore, dhuratat, kontakti fizik, dialogu dhe ndihma praktike janë disa gjuhë të ndryshme me të cilat mund ta shprehni dashurinë dhe ju duhet të bëni kujdes kur ajo jua shpreh, në mënyrë që të komunikoni në të njëjtin nivel sa më shumë që të jetë e mundur.

Burri dhe gruaja jetojnë bashkë, por duhet edhe të bëjnë sforco për të kaluar kohën së bashku duke folur, duke qeshur dhe duke u argëtuar. Tregojini bashkëshortes se kur jeni me të ndiheni se jeni në një vend të sigurt.

Diskutoni gjithmonë me njëri-tjetrin për projektet financiare dhe sesi t’i realizoni së bashku ato.

Kur ajo është e inatosur, dëgjoni, dëgjoni, dëgjoni! Rezistojini tundimit për t’i dhënë këshilla, nëse ajo nuk jua kërkon dhe mos e vendosni veten në pozita mbrojtëse. Thjesht dëgjojeni dhe mundohuni ta kuptoni. Nëse është e inatosur me ju, mos mendoni se një përqafim do të zgjidhë gjithçka, por qëndrojini afër, dëgjoni ato që ju thotë dhe në fund premtoni se herën tjetër do të jeni më i kujdesshëm.

Shprehni mendimet tuaja, mos mendoni asnjëherë se ajo ju njeh aq mjaftueshëm sa të kuptojë vetë se çfarë ndjeni. Kur ndjeni se duhet t’i bëni një kompliment, bëjeni pa e frenuar veten, ose thojini se jeni me fat që jeni partneri i saj.

Mos u mundoni të zgjidhni çdo gjë. Kjo është një tendencë tipike e meshkujve, por femrat jo gjithmonë duan që bashkëshorti të zgjidhë çdo problem.

Bëjini komplimente bashkëshortes suaj në sy të njerëzve të tjerë. Nëse ka gjëra për ta kritikuar, bëjeni në një moment tjetër, privatisht. Për femrat është shumë e rëndësishme mënyra sesi shfaqen në publik. Mos e nxirrni asnjëherë në rolin e të keqes, edhe nëse ka gjëra për të cilat nuk jeni dakord. Diskutoni privatisht për këto çështje dhe evitoni ta vini në siklet në prani të njerëzve të tjerë. Bëni të mundur që të gjithë ta dinë se ajo është partnerja juaj. Kapeni për dore, putheni, përqafojeni, hapini derën. Për atë, dhe vetëm për atë bëjini të tjerët të kuptojnë se nuk ju intereson të kërkoni një partnere tjetër.

Mbështeteni momentet e saj të vështira: është vetëm mënyra e saj për t’u çliruar nga tensioni.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top