FB

April 2, 2021 | 8:15

Si të mposhtni frikën nga koronavirusi

Është normale të ndiheni të trishtuar, të stresuar apo të frikësuar gjatë kësaj krize botërore… Këto janë ndjesi që i kanë përfshirë pothuajse të gjithë njerëzit. Emergjenca e koronavirusit ka shpalosur një skenar shqetësimesh dhe patologjish depresive. Për këtë arsye specialistët e fushës dhe terapistët na këshillojnë se si të mbrohemi nga kjo frikë…

Çfarë është frika?

Frika është një ndjenjë e fuqishme dhe e nevojshme, e cila na lejon të përballojmë rreziqe të mundshme reale apo të imagjinuara. Në një emergjencë si kjo që po jetojmë tani, frika është një ndjenjë normale, e cila na detyron të bëjmë sjelljet e nevojshme dhe të ndjekim rregullat që na japin: duke ndjekur rregullat mund t’i japim një kuptim frikës që ndjejmë. Funksionon mirë, por vetëm nëse është në raport të drejtë me rrezikun.

Në fakt, përballë ngjarjeve të jashtëzakonshme dhe të paparashikuara mund të shfaqim reagime të kundërta: mohimi (“nuk më intereson ky virus, po dal nga shtëpia, edhe pse është e ndaluar”) ose paniku (“do të vdesim të gjithë!”). Është e rëndësishme që të ruani kontrollin, të mos bini pre e frikës dhe për këtë arsye është e nevojshme që të ndiqni këshillat e psikologëve.

Të mbrojmë fëmijët!

Një vëmendje të veçantë duhet t’i kushtoni fëmijëve, të cilët janë përfshirë shumë në këtë sfidë që po kalojmë. Përgjigjuni pyetjeve të tyre me fjalë mirëkuptimi dhe sigurie. Nuk duhet t’ua transmetoni frikën tuaj. Edhe pse të vegjël (në këndvështrimin tuaj) fëmijët e ndjejnë dhe e përjetojnë frikën njësoj me prindërit. Evitojeni këtë barrë për fëmijët. Angazhohuni në argëtime, evitoni që me të afërmit apo miqtë të bëni biseda rreth situatës së pandemisë. Bëni të mundur që të jetojnë fëmijërinë e tyre, njësoj si më parë.

Si ta largoni frikën?

1.Nëse duhet të qëndroni akoma në shtëpi, ruani një stil të shëndetshëm jetese (dietën e duhur, gjumë të rehatshëm, ushtrime fizike) dhe lidhjet me të dashurit dhe miqtë nëpërmjet telefonit, rrjeteve sociale apo video-telefonatave. Bisedat me njerëzit të cilëve u besoni, mund t’ju ndihmojë. Telefononi miqtë dhe familjarët.

2.Nëse ndiheni të përfshirë nga ankthi, flisni me një specialist të fushës ose një konsulent.

3.Kujdesuni për trupin tuaj. Flini dhe zgjohuni në të njëjtën orë. Ushqehuni në mënyrën e duhur. Bëni pak aktivitet fizik dhe meditoni.

4.Mbajeni mendjen në punë. Kryeni aktivitete të kënaqshme si: dëgjoni muzikë, lexoni, shihni film, luani, etj.

5.Mos rrini gjithë kohën duke parë apo lexuar lajmet. Në këtë periudhë do të ishte mirë që të shihnit sa më pak lajme, t’i kushtoni sa më pak kohë, rreth 30 minuta dhe mundësisht jo para se të shkoni për të fjetur.

6.Kujtoni se si në të kaluarën keni përballuar vështirësitë e jetës. Në këtë mënyrë do të përballoni më mirë ndjenjat tuaja në këtë moment të vështirë të kësaj emergjence mbarë botërore.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top