Pika referimi

August 24, 2016 | 8:07

Të dëshiruara apo të dëshpëruara?!

eljan taniniNëse dikur gjyshet tona martoheshin që 14 vjeç, apo edhe sot aty-këtu, ndryshe nga ato të parat, këto të fundit duan ta krijojnë familjen më shpejt, të mbarojnë punë që në rini se u ikën koha “ta kem burrin se më mbron, se kështu do burri apo edhe unë kështu dua, se familja thotë mos humb kohë”, ndoshta kështu kemi bërë edhe ne.

Por, si mund të bëhesh nënë, kur ke ende nevojë për këshillat e nënës sate?

Në një kohë që pjekuria seksuale është arritur, fillon kërkimi për partnerin, sepse që në vitin e parë të fakultetit duhet të bëhesh me burrë. Ndoshta këtu është shfaqja, pasi disa vijnë në fakultet të fejuara që në vitin e tretë të gjimnazit, disa ngelen shtatzënë, të tjera vijnë vetëm për t’u martuar, disa për të gjuajtur dhe për t’i gjuajtur dhe sigurisht edhe leksionet nuk harrohen…

Ndër të rinjtë, që janë ende në një lidhje të re, shpeshherë është një mendësi që kur flitet për të dashurin apo të dashurën, ndryshe thuhet se “më erdhi burri, kjo është e burrit tim, apo kjo është gruaja ime etj”. Ndryshe e argumentuar, ky është imazhi për ta rritur ndër fjalë dashurinë si burrë dhe grua, edhe për ta përforcuar atë. E çfarë na qenka kjo, një shtypje e hapur e familjes, ndoshta edhe një dëshirë më shumë për të qenë të lira. Pavarësinë, të cilën ne njerëzit e kuptojmë mbrapsht.

Shpesh, nga dëshira për të qenë të pavarura, edhe pse nuk mund të jetë vendimi i tyre, apo thjesht dëshirë e familjes, madje tepër e theksuar. Zgjedhja për të krijuar familje në këtë moshë lidhet drejtpërdrejt me mjedisin social brenda të cilit rritemi, përtej gjithë vështirësive, në të cilën varet kultura e familjes, prejardhja e saj, mendimi i gruas apo i nënës, gjyshes apo motrave të shtëpisë dhe dëshira e prindërve për ta mbështetur këtë gjë. Sepse, çdo gjë lind nga familja. Këtu nuk përjashtohen dhe rastet kur ai e rrëmben atë. Por përsëri të jesh NËNË dhe njëkohësisht studente është një lodhje e tepruar. Ose do të duhet ta lërë fakultetin, ose do ta vazhdojë atë, duke u imponuar të tjerëve më shumë respekt për t’u bërë më tolerantë me të, për faktin se tashmë është një nënë. Është e sigurt që respekti nuk mund t’i mungojë, brenda arsyes se fëmija që ajo pret është djalë apo vajzë, se si është barku i saj, se si është tani me shëndet, se sa qenka shëndoshur dhe më pas fjalë për t’ua lënë vajzave apo grave në gjërat e tyre intime. Ky është një kompleks për të krijuar familje sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe, për çudi, nuk vjen nga fakti se ajo kishte një të dashur dhe pa dashje pësoi një shtatzëni të padëshiruar, siç ndodh shpesh në botën e të rinjve, por vjen nga një dëshirë e mbarsur për t’u bërë NËNË, e shtyrë nga familja e saj, nga dëshira për të qenë e pavarur nga familja e bashkëshortit apo vetë ai. A ka të bëjë e gjitha kjo me një mendim të theksuar periferik?!

Një familje e shkolluar mirë, me vajzën ende në universitet, nuk do ta dëshironte kurrë një gjë të tillë. Për këta prindër në plan të parë janë studimet dhe jeta e mirë e vajzës së tyre. Edhe do të mund ta pranonin të bërit NËNË, vetëm në qoftë se ajo do të ishte pa dashje shtatzënë… Po baballarë ka në fakultetet tona? Edhe në pastë, këtu ngrihet një pyetje se a duhet të marrin ata leje lindjeje? Po, sigurisht që po. Di që burrat e tyre janë disi më të mëdhenj se ato vetë dhe nuk kanë fare lidhje me fakultetin. Kjo është zgjidhje, askush nuk mund të ndërhyjë në dëshira. Problem është se këto vajza nuk shquhen për ndonjë mendim të tyrin influencues, apo edhe më të lirë. Do të thotë se ende do të mbeten të varura diku. Por tani fillon trashja dhe fryrja, gjë që i bën më të dallueshme estetikisht, pra më gra. Fakti i të qenit grua, ato duhet t’i nderojë.

Nuk duhet të harrojmë që është vendimmarrje e rëndësishme, ku kemi vajza që mbajnë trupin në linjë me ç’të mundin dhe nga ana tjetër këto vajza që harrojnë linjat për t’u bërë NËNA. Sigurisht janë më të lumtura, sepse kanë krijuar një familje. Zgjedhja u bë, nga familja e vajzërisë, për të shkuar në familjen e burrit, nga një vajzë me hire vajzërie, tashmë me një barrë më të rëndë për t’u bërë më grua. Në qoftë se çdo fëmijë lind për të mposhtur prindin e tij, atëherë kjo është një mënyrë e të bërit NËNË, shumë më e hapur dhe e shpejtë në mposhtje të imazhit të parë prindëror; pra vajza këtu mposht shumë më shpejt prindërit e saj. Sepse ka edhe nga ato që nga viti i parë i fakultetit vijnë sa për të marrë një copë diplomë, por mbi të gjitha për të gjetur burrë. Të tilla vajza janë të paafta dhe varen gjithmonë te ky i fundit. Por ndoshta zgjedhin të mos kundërshtojnë, ose të pranojnë me dëshirë për t’u bërë NËNA! E gjitha kjo ka të bëjë me injorancën apo zgjuarsinë e tyre, me atë mendim periferik, me shkesën, por pak me pëlqimin ende tradicional te ne. Mund të pretendosh pak, që këto vajza të bëjnë karrierë. Nga njëra anë duhet t’i respektosh më shumë, të tjera kanë lindur, dikush me barkun e bukur të rrumbullakët pret ende të lindë; duket sikur duhet t’i respektosh më shumë.

Vajza shqiptare ende është e dhunuar disi më me klas, shumë pak prej tyre e bëjnë vetë këtë zgjedhje. Në çdo mënyrë qoftë, këtu ka vend për një mangësi të theksuar intelektuale, për t’u varur në kremastarin e shtëpisë së burrit dhe në mendimin e tij, në paratë e tij, e si të thuash penisi i mashkullit dhe mitra e nënës së re janë vegla të thjeshta sa për një familje. Në një kurs mund të gjesh edhe raportin 50 vajza me 6 djem. Por, sigurisht, ka midis tyre edhe ndonjë vajzë që mbahet për një inteligjencë të mirë intelektuale, por përsëri shumë pak. E gjitha kjo do të thotë se ato vijnë në fakultet për të marrë një copë diplomë, por në plan të parë kanë idenë për të krijuar familje sa më shpejt, se ndoshta ikën koha, por nuk ma do mendja se duan të bëjnë karrierë, sepse të rrisësh një fëmijë të duhet shumë. Kjo është një zgjedhje e rëndë, por nuk është zgjidhje. Ndërsa në të mbaruarin punë, të tjera e shohin sikur ta kenë jetën përpara, dhe sigurisht që pas lindjes së parë duan të bëjnë karrierë se tashmë e hoqën barrën.

Përsëri jemi në atë traditën e shëmtuar të të kthyerit në mitike idiote të gjyshërve tanë, për t’u martuar shumë herët. Si për ta theksuar përsëri, ato nuk mund t’i bëjnë dot të gjitha. Ashtu të kthyera në gra, por që ende kanë disa hire vajzërie, të shtyra për të lindur sa më shpejt, si një shoqëri ende e paemancipuar mirë, që e kemi dhunuar gruan me shekuj me radhë, që i kemi vënë në shpinë NËNËS shqiptare një mit të shëmtuar “Rozafë”, duke sakrifikuar një nënë të re, se gjoja kjo e fundit u sakrifikua me dëshirën e saj. Me imazhin e saj luftarak të përhershëm me mburojë apo me shpatë, me shpikëse realistesocialiste e traktoriste, e më pas drejt lirisë së depiluar dhe me në fund në timon, por tani të zgjedhur nga ajo vetë. Ah, po, harrova: kjo është partizania që u kënaq se e nxori partia në punë!

Pse vallë ne nuk paskemi asnjë grua fisnike? Gurëzuan gruan, apo sot më mirë të themi e betonuan atë. Por përse nuk betonuan burrin xhanëm, ç’është ky mit kaq i shëmtuar?

Sot, për ndërtimin e themeleve sakrifikojmë kafshët, ndërsa gratë i përdorim për t’i sakrifikuar më ngadalë në punë të tjera. Atëherë, formula është “GRUA=GUR”.

Që nga ato pak gra që janë në kuvend, që nga Kryetarja e Parlamentit, e cila mbante një pasqyrë në dhomën e saj të pritjes apo të gjumit, të kënaqësisë apo të joshjes, me një pikturë të “Motrës Tone” në njërën anë, do të mund të kuptosh një imponim të theksuar feminizmi, për çdo mashkull që hyn në atë ambient të verdhë. Që nga çdo lloj ftese, e cila të vjen kundër dhunës ndaj gruas, se gratë mund t’i bëjnë të gjitha vetë me ndihmën e grave, pa burrat. Të shohim se sa deputete të mira do të jenë në kuvend. “Ne shqiptarët ende sot themi, më fal për shprehjen, ajo është me barrë”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top