FB

October 13, 2026 | 11:30

Dr. Griselda Vata: Në NUR Clinic, realizojmë prekjen magjike, në harmoni me shëndetin

 

Nga Orjona TRESA / Foto Arben BICI

 

Ka diçka të prekshme në mënyrën se si një mjek, kirurg ORL, e sheh fytyrën e një njeriu. Përpara çdo ndërhyrjeje është një anatomi që duhet njohur në detaj, një funksion që duhet ruajtur dhe një njeri që i beson duarve të tij. Nuk është thjesht një sipërfaqe ku maten linjat, vëllimet apo përmasat dhe as një fotografi mbi të cilën kërkohet korrigjimi i radhës. Përpara aparaturave, parametrave dhe teknikave është një trup me historinë e vet, një funksion që duhet kuptuar dhe një njeri që ka ardhur jo domosdoshmërish për të ndryshuar, por për të kuptuar çfarë i duhet vërtet. Kjo është ndoshta edhe pika ku rrugëtimi profesional i Dr. Griselda Vatës bëhet më i dallueshëm: në përpjekjen për të mos e ndarë asnjëherë atë që është e drejtë në mjekësi, nga ajo që është e ndjeshme në aspektin njerëzor.

gris5

Mjekësia nuk është një profesion që të lejon të kapërcesh lehtë atë që ke mësuar për një trend, një kërkesë të çastit apo nevojën për të qenë pjesë e vëmendjes. Pas saj janë vite studimi, specializimi, përvojë dhe një disiplinë ku edhe kokëfortësia ka arsyen e vet: rregullat ekzistojnë sepse përballë mjekut është gjithmonë një njeri. Për Dr. Vatën, një dekadë formimi nuk mund të zhbëhet nga ideja se çdo ndryshim është domosdoshmërish përmirësim. As teknologjia, sado e avancuar të jetë, nuk e zëvendëson gjykimin klinik. As dëshira për një rezultat estetik nuk mund të qëndrojë mbi funksionin, sigurinë dhe natyrën e individit. Ndoshta pikërisht këtu takohen dy anët e punës së saj: ajo profesionale, e ndërtuar mbi ORL-në, Kirurgjinë e Kokës dhe Qafës dhe njohjen e thellë të anatomisë, dhe ana njerëzore, që kërkon të dëgjosh përpara se të ndërhysh. Një hundë që nuk merr frymë mirë nuk është vetëm një problem estetik; një ndryshim në fytyrë nuk është vetëm një çështje proporcioni; një shqetësim i pacientit nuk është gjithmonë një kërkesë që duhet realizuar. Ka raste kur duhet trajtuar, raste kur duhet korrigjuar dhe raste kur përgjigjja më e drejtë është të mos bësh asgjë. Në këtë kuptim, edhe Betimi i Hipokratit mbetet i gjallë brenda një mjekësie që ndryshon me shpejtësi. Sepse teknologjia mund të hapë mundësi të reja, por përgjegjësia për mënyrën se si përdoren ato mbetet njerëzore.

Në NUR Clinic, kjo filozofi përpiqet të marrë formë në përditshmëri. Jo si një premtim për një ndryshim absolut, por si një punë e kujdesshme mbi atë që realisht ka nevojë të ndryshojë dhe mbi atë që ia vlen të ruhet. Sepse pas shumë vitesh studimi dhe një karriere të ndërtuar hap pas hapi, Dr. Griselda Vata duket se e ka kuptuar një të vërtetë të thjeshtë, atë që profesionalizmi nuk është vetëm të dish të ndërhysh, por të dish pse ndërhyn, sa larg duhet të shkosh dhe kur dora e mjekut duhet të ndalet. Aty, mes standardit profesional dhe ndjeshmërisë njerëzore, nis rrugëtimi i saj.

 gris1

Dr. Griselda, si lindi dëshira juaj për t’u bërë mjeke dhe çfarë ju tërhoqi fillimisht drejt mjekësisë?

Nuk besoj se ka qenë një moment i vetëm në të cilin kam vendosur se do të bëhesha mjeke. Ka qenë më shumë një bindje që është formuar herët dhe është bërë gjithnjë e më e qartë me kalimin e viteve. Më ka tërhequr gjithmonë ideja që pas një simptome ka një arsye për t’u kuptuar dhe se, përmes dijes, mund të ndryshosh konkretisht diçka në jetën e një njeriu. Mjekësia më dukej një ndërthurje shumë e veçantë mes shkencës, përgjegjësisë dhe kontaktit njerëzor. Sot e kuptoj se pikërisht kjo më mban ende të lidhur me të: nuk është një profesion ku mbaron së mësuari dhe, mbi të gjitha, nuk është një profesion ku ke përballë vetëm një diagnozë. Ke përballë një njeri.

 

Si u gjendët konkretisht në rrugën e ORL-së dhe çfarë ju bëri të zgjidhni pikërisht këtë specializim?

ORL-ja më tërhoqi sepse është një specialitet jashtëzakonisht dinamik. Brenda një fushe relativisht të vogël anatomike ke patologji shumë të ndryshme, diagnostikë, procedura ambulatore, kirurgji, urgjenca dhe një raport shumë të drejtpërdrejtë me cilësinë e jetës së pacientit. Frymëmarrja, dëgjimi, zëri, ekuilibri, gëlltitja – janë funksione që i marrim si të mirëqena derisa diçka nuk funksionon. Më pëlqeu gjithashtu precizioni që kërkon kirurgjia e këtij regjioni. Është një anatomi komplekse, ku struktura shumë të vogla mund të kenë një rëndësi shumë të madhe funksionale. Me kalimin e kohës kuptova se ishte një fushë që përputhej shumë me mënyrën time të të menduarit dhe të punuarit.

 

Sa ka ndryshuar mënyra se si e shihni ORL-në sot, krahasuar me fillimet tuaja në specializim?

Shumë. Në fillim, si çdo mjek i ri, përqendrohesh shumë te diagnoza, protokollet, teknika: çfarë ka pacienti dhe çfarë duhet të bësh. Me eksperiencën fillon të shohësh më shumë nuanca. Kupton se e njëjta patologji nuk përjetohet njësoj nga dy njerëz dhe se trajtimi më i mirë nuk është gjithmonë ai më agresivi apo më kompleks. Sot e shoh ORL-në shumë më tepër në raport me cilësinë e jetës. Një problem që në letër mund të duket i vogël, për dikë që nuk fle mirë, nuk merr frymë mirë apo nuk dëgjon mirë, mund të ndikojë çdo ditë të jetës së tij. Mendoj se me vitet bëhesh më e saktë teknikisht, por njëkohësisht edhe më e kujdesshme në vendimmarrje.

 

Cili ka qenë momenti ose përvoja profesionale që ju ka bindur se kishit zgjedhur drejtimin e duhur?

Nuk do ta lidha me një rast të vetëm. Ka pasur shumë momente të vogla që ma kanë konfirmuar. Sidomos ato raste kur një pacient vjen me një problem që prej kohësh e ka konsideruar pjesë të jetës së tij dhe, pasi diagnostikohet e trajtohet siç duhet, kupton se nuk ishte e nevojshme të jetonte ashtu. Ka një kënaqësi shumë të veçantë kur rezultati i punës tënde përkthehet në diçka kaq elementare sa të marrësh frymë më mirë, të dëgjosh më mirë apo të rikthehesh në normalitet. Aty kupton që nuk ke trajtuar thjesht një patologji; ke ndryshuar një pjesë të përditshmërisë së dikujt.

 

Dr. Griselda Vata, si erdhi më pas lidhja me Kirurgjinë e Kokës dhe Qafës dhe, më tej, me Mjekësinë Estetike? A ishte një zgjedhje e menduar që në fillim apo një rrugëtim që u formua gradualisht?

ORL-ja më ka mësuar ta shoh fytyrën përtej asaj që duket. Në regjionin e kokës dhe qafës, funksioni dhe estetika janë shumë pranë njëra-tjetrës: mënyra si marrim frymë, si dëgjojmë, si flasim, por edhe mënyra si struktura dhe proporcioni ndërtojnë një fytyrë. Pikërisht kjo afërsi më orientoi natyrshëm edhe drejt mjekësisë estetike. Formimi im bazë mbetet ORL dhe Kirurgjia e Kokës dhe Qafës, ndërsa mjekësinë estetike e shoh si një zgjerim të këtij formimi. Njohja e anatomisë më ka bërë, në fakt, edhe më konservatore në estetikë: të dish sa shumë struktura ka poshtë një centimetri lëkurë, të mëson të mos ndërhysh më shumë seç duhet. Prandaj ajo që karakterizon më shumë mënyrën time të punës është individualizimi. Nuk besoj te fytyrat e bëra sipas një modeli dhe as te procedurat vetëm sepse janë trend. Besoj te indikacioni i saktë, anatomia dhe masa. Rezultati më i mirë për mua është ai ku pacienti duket më mirë, por vazhdon të duket si vetja.

gris2

Ju sot drejtoni një nga klinikat prestigjioze në Tiranë, Nur Clinic. Cilat janë shërbimet dhe ndërhyrjet kryesore që ofroni?

Në ORL spektri është shumë i gjerë. Pacientët drejtohen për problematika të hundës dhe sinuseve, vështirësi në frymëmarrjen nazale, infeksione të përsëritura, patologji të veshit, ulje të dëgjimit, tinnitus, vertigo, patologji të fytit dhe tonsilave, ndryshime të zërit, si edhe problematika të regjionit të kokës dhe qafës. Ajo që më intereson është të mos trajtoj vetëm simptomën. Një hundë e bllokuar, për shembull, është një ankesë shumë e zakonshme, por pas saj mund të qëndrojnë shkaqe krejt të ndryshme. E njëjta gjë vlen për marramendjen, uljen e dëgjimit apo një shqetësim të vazhdueshëm në fyt. Simptoma është ajo që sjell pacientin te mjeku; diagnoza është ajo që përcakton çfarë duhet bërë më pas. Në mjekësinë estetike punoj me trajtime të harmonizimit të fytyrës, dermal filler, toksinë botulinike, biostimulim, skin boosters dhe protokolle të rinovimit e përmirësimit të cilësisë së lëkurës. Por konsultën nuk e nis duke pyetur se çfarë procedure dëshiron pacienti. Fillimisht vlerësoj fytyrën në tërësi: strukturën, proporcionet, mimikën, cilësinë e lëkurës dhe ndryshimet që ka sjellë koha. Sepse ndonjëherë pacienti vjen duke kërkuar të trajtojë një zonë, ndërsa anatomikisht shkaku i asaj që e shqetëson ndodhet diku tjetër. Të dish ku të mos ndërhysh është po aq e rëndësishme sa të dish ku të ndërhysh.

 

Po sa i takon problematikave më të zakonshme të veshit, hundës dhe fytit që pacientët neglizhojnë dhe kur një simptomë duhet të konsiderohet si sinjal për vizitë te specialisti?

Mendoj se neglizhenca më e madhe ndodh kur një simptomë zgjat aq shumë sa pacienti fillon ta konsiderojë pjesë të normales. Të jetosh vazhdimisht me hundë të bllokuar, të marrësh frymë me gojë, të gërhasësh, të kesh infeksione të shpeshta të fytit, tinnitus apo të vësh re se dëgjimi po ulet gradualisht nuk duhet konsideruar automatikisht normale vetëm sepse është bërë e zakonshme. Ka gjithashtu disa simptoma që kërkojnë vëmendje më të shpejtë: një ulje e papritur e dëgjimit, marramendje e fortë ose e përsëritur, gjakderdhje nazale të shpeshta, ngjirje zëri që persiston, vështirësi në gëlltitje, një masë në qafë që nuk largohet apo simptoma të njëanshme dhe persistente. Këto shenja nuk nënkuptojnë domosdoshmërish një diagnozë serioze, por janë arsye për t’u vlerësuar nga specialisti dhe jo për t’u trajtuar pafundësisht në mënyrë simptomatike. Trupi shpesh jep sinjale shumë përpara se një problem të bëhet i madh. Çështja është sa herët vendosim t’i dëgjojmë.

 

Cilat janë rreziqet dhe komplikacionet që pacientët duhet të njohin përpara një ndërhyrjeje ORL, kirurgjikale apo të mjekësisë estetike, dhe sa rëndësi ka vlerësimi individual i pacientit?

Në mjekësi nuk ekziston procedura me risk zero. Ekziston procedura e indikuar mirë, e kryer në kushtet e duhura dhe nga profesionisti që di jo vetëm ta realizojë, por edhe të njohë e të menaxhojë një komplikacion. Në ndërhyrjet kirurgjikale pacienti duhet të informohet për rreziqe të përgjithshme si gjakderdhja, infeksioni, komplikacionet e lidhura me anestezinë, si edhe për rreziqet specifike të procedurës që do të kryejë. Edhe në mjekësinë estetike termi “minimalisht invazive” nuk do të thotë “pa risk”. Përveç efekteve të pritshme dhe kalimtare si edema apo hematomat, mund të kemi infeksion, asimetri dhe, në raste të rralla, komplikacione vaskulare serioze. Kjo është arsyeja pse anatomia, teknika, përzgjedhja e pacientit dhe aftësia për të njohur menjëherë një komplikacion janë thelbësore. Por një pjesë shumë e rëndësishme e sigurisë ndodh përpara se të preket pacienti: anamneza, ekzaminimi, historia mjekësore, trajtimet e mëparshme, indikacioni dhe pritshmëritë e tij. Unë besoj shumë te fjala “jo” në mjekësi. Jo çdo gjë që mund të realizohet teknikisht duhet domosdoshmërisht të realizohet. Ndonjëherë vendimi më profesional nuk është të bësh një procedurë mirë, por të kuptosh se ajo procedurë nuk duhet bërë fare.

gris3

Çfarë përfitimesh sjell trajtimi i specializuar në ORL dhe kirurgjinë e kokës e qafës, dhe si mund të ndikojnë procedurat e mjekësisë estetike në harmoninë dhe rinovimin e fytyrës?

Në ORL, përfitimi i trajtimit të specializuar fillon nga diagnoza. Dy pacientë mund të paraqiten me të njëjtën simptomë dhe të kenë patologji, nevoja dhe trajtime krejt të ndryshme. Kur trajtohet shkaku dhe jo vetëm simptoma, ndikimi shkon përtej një diagnoze në kartelë. Mund të ndryshojë mënyrën si pacienti merr frymë, fle, dëgjon, komunikon dhe, në fund, mënyrën si jeton përditshmërinë e tij. Në mjekësinë estetike filozofia ime është e ngjashme: nuk trajtoj një tipar të izoluar, por përpiqem të kuptoj fytyrën në tërësi. Me kalimin e kohës fytyra nuk ndryshon vetëm sepse shfaqen rrudhat. Ndryshojnë lëkura, volumet, strukturat mbështetëse dhe raportet mes zonave të ndryshme. Prandaj rinovimi nuk duhet të nënkuptojë thjesht mbushjen e çdo vije apo shtimin e volumit. Një fytyrë nuk ka nevojë të jetë perfekte për të qenë harmonike. Dhe rinovimi nuk duhet të fshijë historinë e saj. Për mua procedurat estetike kanë vlerë kur përdoren me masë për të rikthyer ekuilibër, freski dhe mbështetje aty ku nevojitet, pa standardizuar tiparet dhe pa humbur mimikën. Në fund, nuk dua që dikush të shohë pacientin tim dhe të kuptojë menjëherë çfarë procedure ka bërë. Dua të shohë një version më të freskët dhe më harmonik të të njëjtit person. Sepse estetika më e mirë nuk është ajo që ndryshon identitetin. Është ajo që di ta respektojë atë.

 

gris4

 

Si ka qenë puna juaj e parë si mjeke dhe çfarë ju ka mësuar ajo periudhë që vazhdoni ta mbani me vete edhe sot?

Puna ime e parë më mësoi shumë shpejt ndryshimin mes të dish mjekësi dhe të jesh realisht mjek. Universiteti të jep bazën, por përballja me pacientin të mëson përgjegjësinë. Kur përballë teje është një njeri që pret një vendim, nuk ke më një rast teorik apo një pyetje provimi. Duhet të dëgjosh, të mendosh, të marrësh vendime dhe të dish edhe kur duhet të kërkosh një mendim tjetër. Nga ajo periudhë kam ruajtur diçka që e konsideroj shumë të rëndësishme edhe sot: të mos e humbas kurrë respektin për përgjegjësinë që mbart fjala “mjek”.

 

A ju kujtohet pacienti juaj i parë dhe çfarë emocionesh keni përjetuar atëherë?

Më kujtohet më shumë ndjesia sesa një pacient i vetëm. Në fillim çdo pacient të duket si një përgjegjësi shumë më e madhe sesa e kishe imagjinuar gjatë studimeve. Ekziston ai kombinimi mes dëshirës për të bërë gjithçka saktë dhe frikës për të mos humbur asnjë detaj. Me kohën fiton siguri, por mendoj se është mirë të mos e humbasësh plotësisht atë ndjesi. Një dozë e shëndetshme përgjegjësie të mban vigjilent dhe nuk të lejon ta kthesh pacientin në rutinë.

 

Në fillimet e karrierës, cili ka qenë aspekti më i vështirë për ju: ana teknike, përgjegjësia ndaj pacientit apo përballja me emocionet e tyre?

Përgjegjësia. Teknikën e mëson, e ushtron dhe e përmirëson vazhdimisht. Por të kuptosh se një vendim i yti mund të ndikojë drejtpërdrejt te shëndeti i dikujt ka një peshë tjetër. Dhe bashkë me të vjen edhe dimensioni emocional, sepse pacienti nuk të sjell vetëm simptomat; të sjell frikën, ankthin dhe pritshmëritë e tij. Sfida është të jesh mjaftueshëm empatike për t’i kuptuar, por njëkohësisht mjaftueshëm e kthjellët për të marrë vendimin e duhur mjekësor.

 

Çfarë do t’i thoshit sot vetes suaj në ditët e para të profesionit?

Do t’i thosha: mos u nxito të ndihesh sikur duhet t’i dish të gjitha. Mjekësia nuk të kërkon të kesh çdo përgjigje menjëherë; të kërkon të dish të mendosh, të kërkosh, të verifikosh dhe të mos pretendosh siguri aty ku nuk e ke. Dhe ndoshta do t’i thosha edhe të kishte pak më shumë besim te rrugëtimi. Shumë gjëra që në fillim duken si pasiguri, më vonë kupton se kanë qenë pjesë e formimit.

 

Mjekësia kërkon shumë përfshirje emocionale. Si ruhet ekuilibri mes empatisë dhe distancës profesionale?

Nuk mendoj se një mjek duhet të bëhet i pandjeshëm për t’u bërë më profesionist. Përkundrazi, empatia është pjesë e mënyrës se si kupton pacientin. Por duhet të mësosh të mos e marrësh çdo histori me vete në shtëpi, sepse në afat të gjatë kjo do të ndikonte edhe në aftësinë për të qenë e dobishme për pacientin tjetër. Është një ekuilibër që nuk mësohet në libra. Mësohet me kohën: të jesh e pranishme kur pacienti ka nevojë për ty, por të ruash kthjelltësinë që të lejon të marrësh vendime profesionale.

 

A ka raste apo histori pacientësh që ju kanë mbetur në mendje edhe pasi dita e punës ka përfunduar?

Po, patjetër. Sidomos rastet ku pacienti është shumë i ri, rastet e rënda ose situatat ku e ndien ankthin e familjes po aq sa të pacientit. Ka raste që vazhdon t’i mendosh edhe pasi ke dalë nga spitali. Mendoj se është e pamundur të punosh çdo ditë me njerëzit dhe të mos marrësh asgjë emocionalisht prej tyre. Me kohën thjesht mëson që kjo ndjeshmëri të mos të paralizojë, por të të bëjë më të kujdesshme.

 gris6

Si e përjetoni përgjegjësinë që një pacient ju beson jo vetëm shëndetin, por në estetikë edhe mënyrën se si e percepton veten?

Në estetikë kjo përgjegjësi është shumë më e madhe nga sa duket. Pacienti nuk vjen vetëm me një tipar anatomik që dëshiron të ndryshojë; shpesh vjen me mënyrën se si e sheh veten. Prandaj përpiqem të kuptoj jo vetëm çfarë kërkon, por edhe pse e kërkon. Nuk dua që mjekësia estetike të ushqejë pasiguri që ndoshta nuk duhet të ekzistojnë. Qëllimi im nuk është të krijoj nevojën për një procedurë. Është të kuptoj nëse ajo procedurë ka realisht indikacion dhe, nëse po, ta realizoj në mënyrë që pacienti të ndihet më mirë pa humbur identitetin e tij.

 

A ka raste kur duhet t’i thoni “jo” një pacienti edhe pse ndërhyrja teknikisht mund të realizohet?

Po, dhe ndodh më shpesh nga sa mendohet. Mundësia teknike nuk është indikacion mjekësor. Nëse mendoj se një procedurë nuk do ta përmirësojë pacientin, do të prishë proporcionet, ka risk të panevojshëm ose pritshmëria nuk është realiste, preferoj të mos e bëj. Ndonjëherë pacienti mund të mos jetë i kënaqur me atë përgjigje në moment, por detyra ime nuk është të them “po” për çdo kërkesë. Besimi ndërtohet edhe duke ditur kur të thuash “jo”.

 

Çfarë e bën një mjek vërtet të mirë?

Është kombinimi. Njohuria pa përvojë ka kufizimet e saj; përvoja pa përditësim mund të bëhet rutinë; intuita pa bazë shkencore mund të jetë e rrezikshme; ndërsa edhe mjeku teknikisht shumë i mirë humbet diçka nëse nuk di të komunikojë me pacientin. Për mua një mjek i mirë është ai që vazhdon të mësojë, di kufijtë e vet, dëgjon pacientin dhe nuk lejon që siguria e fituar me eksperiencën të kthehet në vetëbesim të tepruar.

 

Cili është parimi profesional nga i cili nuk bëni kompromis?

Indikacioni dhe siguria e pacientit. Nuk bëj një procedurë vetëm sepse pacienti e kërkon apo sepse teknikisht mund ta realizoj. Nëse nuk mendoj se është zgjedhja e duhur, preferoj ta shpjegoj dhe të mos ndërhyj. Në fund, mjekësia nuk është të bësh sa më shumë. Shpesh është të dish saktësisht sa duhet – dhe kur duhet të ndalesh.

 

Çfarë ju motivon ende sot të vazhdoni të mësoni dhe të zhvilloheni profesionalisht?

Fakti që mjekësia nuk të lejon të mendosh se ke mbërritur. Teknikat ndryshojnë, teknologjia evoluon, literatura përditësohet dhe çdo pacient mund të të vendosë përpara një situate që të detyron të kërkosh më shumë. Mua më tërheq veçanërisht ajo pikë ku ORL-ja, kirurgjia funksionale dhe estetika e fytyrës takohen. Sa më shumë mësoj anatominë dhe kirurgjinë e këtij regjioni, aq më shumë kuptoj sa shumë ka ende për të mësuar. Dhe kjo, për mua, është motivuese.

 

Cila është ajo gjë e vogël, jashtë mjekësisë, që ju rikthen energjinë?

Gjërat shumë të thjeshta. Një kafe pa nxitim, aktiviteti fizik, pak kohë me njerëzit e mi ose thjesht disa orë ku nuk jam “doktoresha” dhe nuk duhet të marr asnjë vendim. Mjekësia të mëson të jetosh vazhdimisht me përgjegjësi; ndaj kam mësuar të vlerësoj shumë ato momente të zakonshme ku mund të shkëputem dhe të rikthehem te vetja.

 

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Çfarë mesazhi do t’u përcillnit grave?

Do të doja që kontrolli të mos lidhej vetëm me frikën apo me muajin tetor. Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm janë pjesë e kujdesit për veten, jo diçka që duhet bërë vetëm kur shfaqet një simptomë. Kontrollet duhet të përshtaten me moshën, historinë personale, historinë familjare dhe faktorët individualë të riskut, sipas këshillës së mjekut. Mesazhi im do të ishte shumë i thjeshtë: mos prisni që trupi t’ju detyrojë t’i kushtoni vëmendje. Kujdesuni për të edhe kur ndiheni mirë. Kujdesi për veten nuk është luks dhe as frikë; është përgjegjësi ndaj vetes.

 

A keni menduar të kontribuoni konkretisht përmes një nisme gjatë Tetorit?

Po, dhe do të doja që të mos mbetej thjesht në nivelin e një postimi sensibilizues. NUR Clinic është një hapësirë e re, por një nga gjërat që dua të ndërtoj me të është pikërisht kultura e parandalimit dhe e kujdesit për shëndetin, përtej shërbimeve që ofrojmë drejtpërdrejt. Për Tetorin po mendojmë një nismë të vogël ndërgjegjësuese për gratë që na vizitojnë, me fokus te informacioni, vetëkujdesi dhe rëndësia e kontrolleve periodike. Sepse ndonjëherë një klinikë mund të bëjë diçka të vlefshme edhe thjesht duke e çuar një grua drejt kontrollit që ka shtyrë prej kohësh.

 

Adresa: Rruga “Jordan Misja”, Kompleksi GENER 2, Tiranë

Cel: +355 69 204 5216

Instagram: nur_clinic.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top