Vera dhe fëmijët e vegjël! Sa bukur është që kjo stinë të mbushet me lojë, liri, aventura dhe zbulime të reja. Me shokët në ekskursione, piknikë dhe aktivitete argëtuese; me prindërit në det, në mal apo në resorte pushimi; me gjyshërit në fshat duke prekur jetën reale, natyrën, kafshët, tokën dhe traditat. Çdo përvojë është një mundësi e çmuar për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të krijuar kujtime që do t’i shoqërojnë gjatë.

Fëmijët nuk rriten vetëm përmes mësimeve, por edhe përmes përvojave. Veçanërisht përvojave! Një shëtitje në pyll, një ditë në plazh, një mbrëmje në oborrin e gjyshërve apo një lojë e thjeshtë me miqtë, mund të kthehen në mësime të vlefshme për jetën. Mësime, të cilat nuk i harrojnë kurrë!
Në fakt shpesh e dëgjoj pyetjen nga prindër të ndryshëm se si është më mirë të kalohet vera për fëmijët, të rrijnë në shtëpi apo të shkojnë në kopsht?” Ndodh që meqë fëmijët më të rritur, vëllezërit dhe motrat mbarojnë shkollat, ata nuk dalin më çdo mëngjes për të shkuar në shkollë, por kjo gjë bën që fëmijët më të vegjël të ndihen “xhelozë”- dhe nuk pranojnë më të ikin nëpër kopshte.
Si duhet prindërit të veprojnë në këto raste?
Për hir të së vërtetës, për shumicën e fëmijëve të vegjël, veçanërisht ata të moshës parashkollore, vazhdimi i frekuentimit të kopshtit edhe gjatë verës është zakonisht më i dobishëm sesa qëndrimi i gjatë në shtëpi. Kopshti u ofron rutinë, socializim, aktivitete të strukturuara dhe mundësi për të ruajtur aftësitë që kanë fituar gjatë vitit. Megjithatë, problemi që hasin prindërit shpesh, veçanërisht në këto raste është shumë i zakonshëm: kur motra ose vëllai i madh mbaron shkollën dhe qëndron në shtëpi, fëmija më i vogël mendon: “Pse duhet të shkoj vetëm unë?” Kjo nuk është aq shumë çështje e kopshtit, sa e ndjenjës së padrejtësisë dhe xhelozisë. Në këto raste, prindërit mund të:
•T’i shpjegojnë me qetësi se secili ka “punën” e vet sipas moshës. Vëllai i madh ka mbaruar vitin shkollor, ndërsa ai ende ka aktivitetet e tij në kopsht.
•Të mos e paraqesin kopshtin si detyrim apo ndëshkim, por si një vend ku e presin shokët, edukatoret dhe aktivitetet e preferuara.
•Të shmangin negocimin e përditshëm (“sot po, nesër jo”), sepse kjo e bën më të vështirë përshtatjen.
•Të organizojnë kohë cilësore familjare pasdite ose në fundjavë, në mënyrë që fëmija të mos ndiejë se po humbet diçka.
•Të bashkëpunojnë me edukatoret, të cilat mund ta ndihmojnë fëmijën të ndihet i rëndësishëm dhe i motivuar për të ardhur.

Prindërit duhet të kenë parasysh se vendimet nuk duhen marrë vetëm mbi bazën e dëshirës momentale të fëmijës. Fëmijët e vegjël shpesh zgjedhin atë që duket më argëtuese në çast (të qëndrojnë në shtëpi me motrën ose vëllain), por pas disa javësh mund të ndiejnë mungesën e shokëve, rutinës dhe aktiviteteve të përditshme. Fëmija nuk di të vlerësojë se çfarë është e mirë dhe çfarë jo për të. Pra nuk ka një përgjigje të vetme për të gjithë. Një verë e balancuar është shpesh zgjidhja më e mirë: kopsht, socializim dhe aktivitete edukative, por edhe kohë pushimi dhe momente të bukura me familjen. Kështu fëmija fiton si nga rutina, ashtu edhe nga pushimet.
Si drejtoreshë e një institucioni parashkollor, verën nuk e shoh thjesht si një periudhë pushimi, por si një mundësi të vyer për zhvillimin e fëmijëve përmes përvojave të ndryshme, lojës dhe eksplorimit.
Misioni ynë është të krijojmë një mjedis ku fëmijët të ndihen të lumtur, të sigurt dhe të dashur, ndërsa vizioni ynë është të rrisim fëmijë të pavarur, kuriozë dhe të përgatitur për jetën. Për këtë arsye, politika e institucionit duhet të mbështet në një edukim që shkon përtej mureve të klasës, duke i dhënë rëndësi natyrës, socializimit, aktiviteteve krijuese dhe përvojave reale.
Qoftë në kopsht, në familje, në udhëtime apo pranë gjyshërve, çdo përvojë e shëndetshme dhe e pasur me emocione pozitive kontribuon në formimin e personalitetit të fëmijës. Detyra e të gjithë institucioneve është të ndërtojnë ura bashkëpunimi me prindërit, në mënyrë që çdo stinë e vitit, përfshirë edhe verën, të shërbejë për rritjen dhe mirëqenien e fëmijëve.

Por çfarë aktivitetesh mund dhe duhet një institucion parashkollor të ofrojë gjatë verës që prindërit ta kenë target në zgjedhjet e tyre?
Një institucion parashkollor mund të zhvillojë gjatë verës një sërë aktivitetesh “jashtë mureve”, si shëtitje në natyrë, vizita në ferma, parqe, biblioteka, muze, aktivitete sportive në ambiente të hapura, piknikë edukativë, projekte mjedisore, kampe ditore dhe punëtori krijuese në komunitet. Këto përvoja i ndihmojnë fëmijët të mësojnë përmes zbulimit, të zhvillojnë aftësitë sociale dhe të krijojnë kujtime të bukura në një mjedis të sigurt dhe të organizuar.
Ajo që i bën prindërit të zgjedhin kopshtin edhe gjatë verës është kombinimi i sigurisë, kujdesit profesional dhe një programi tërheqës që ofron më shumë sesa mbikëqyrje. Prindërit kërkojnë një vend ku fëmija i tyre të jetë i lumtur, aktiv, i angazhuar dhe të vazhdojë të zhvillohet. Një program veror i pasur me aventura, lojëra, aktivitete artistike, eksperimente, eksplorime në natyrë dhe mundësi socializimi krijon vlerë të shtuar që e dallon institucionin nga alternativat e tjera. Qëllimi është të krijohet një mjedis ku fëmijët të ndihen të lumtur, të sigurt dhe të dashur, sikundër edhe është i rëndësishëm fakti që të rriten si fëmijë të pavarur, kuriozë dhe të përgatitur për jetën. Për këtë arsye, politika e institucionit duhet të mbështet në një edukim që shkon përtej mureve të klasës, duke i dhënë rëndësi natyrës, socializimit, aktiviteteve krijuese dhe përvojave reale.
Kur fëmijët janë të lumtur, të mbrojtur dhe të angazhuar në aktivitete kuptimplota, atëherë çdo institucion e ka përmbushur misionin e tij më të rëndësishëm.
*Eda Bano, Ceo Çerdhe dhe Kopshti “Princi i Lumtur”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

