FB

July 7, 2026 | 16:00

Ekspertiza nuk garanton imunitet ndaj vuajtjes

 

Jam trishtuar shumë kur mësova lajmin se një terapist aq i aftë, që ka ndryshuar aq shumë jetë, zgjodhi të largohej nga kjo jetë. Ky reflektim nuk ka për qëllim të komentojë jetën, zgjedhjet apo vuajtjen e një personi të caktuar. Është një përpjekje për të menduar mbi një të vërtetë që shpesh harrohet: terapistët janë qenie njerëzore përpara se të jenë terapistë.

arta-llana-psikologe-klinikeEnde nuk i dimë të gjitha përgjigjet. Literaturat klinike mund të na ofrojnë informacion, teori, ekspertizë dhe mjete për të kuptuar vuajtjen njerëzore, por a mund të garantojnë shërimin e shpirtit? A mund të japin përgjigje për çdo dhimbje që mbart një njeri?

Ekziston shpesh një perceptim i gabuar për psikologët: sikur ata kanë një njohuri të veçantë që i lejon të lexojnë mendjen, të kuptojnë plotësisht vuajtjen e tjetrit dhe të gjejnë zgjidhjen për çdo problem. Por realiteti është shumë më i përulur dhe shumë më i brishtë.

Mendja njerëzore mbetet thellësisht komplekse. Bota e brendshme e secilit është unike, e formuar nga përvojat, kujtimet, marrëdhëniet, ndjenjat, qëllimet personale dhe faktorët biologjikë që nuk mund të njihen kurrë plotësisht nga një tjetër. Terapistët mësojnë teori, teknika dhe metoda për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë fjalë për dhimbjen e tyre, të kuptojnë veten dhe të ecin drejt shërimit. Ata ofrojnë praninë, empatinë dhe dhembshurinë e tyre si pjesë e ndihmës profesionale dhe njerëzore. Por ata nuk janë Zot.

Zhvillimi profesional nuk ecën gjithmonë paralel me zhvillimin personal. Të kesh njohuri për vuajtjen nuk do të thotë të jesh i mbrojtur prej saj. Ekspertiza nuk jep imunitet ndaj dëshpërimit, humbjes, pasigurisë apo dhimbjes. Edhe terapistët përballen me të njëjtat kufizime njerëzore si të gjithë të tjerët.

seanca-psikolog

Një nga kufijtë më të thellë të terapisë është pranimi se ekzistojnë forma vuajtjesh që nuk mund të zgjidhen thjesht. Disa plagë mund të kuptohen, por vazhdojnë të dhembin. Disa probleme mund të përpunohen në terapi, por nuk marrin gjithmonë fundin që dëshirojmë. Disa njerëz arrijnë të gjejnë forcë duke i dhënë kuptim vuajtjes së tyre. Disa të tjerë nuk arrijnë ta gjejnë atë. Ka dhimbje, humbje dhe tragjedi që tejkalojnë çdo teknikë, çdo teori dhe çdo përpjekje njerëzore për t’i kontrolluar.

Në këto momente, terapia mund të duket e pafuqishme. Jo sepse ka dështuar, por sepse përballet me kufirin ku njohuria njerëzore takohet me misterin e ekzistencës dhe me gjithçka që nuk mund të parashikohet apo kontrollohet. Kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e terapisë. Përkundrazi, e vendos atë në vendin e saj të vërtetë: një proces njerëzor, i vlefshëm, por me kufij.

Terapisti dhe klienti përballen me këtë mister së bashku. Jo si një ekspert që zotëron zgjidhjen e çdo problemi, por si dy qenie njerëzore që takohen në një hapësirë ku ekzistojnë dhimbja, pasiguria dhe brishtësia.

Ndodh që si terapist ta marrësh me vete dhimbjen e klientëve, historitë e tyre dhe peshën emocionale të asaj që dëgjon. Ndodh që të vuash edhe vetë kur nuk sheh rezultatin e dëshiruar ose kur ndihma e ofruar nuk sjell ndryshimin që shpresoje. Prandaj është po aq e rëndësishme që terapisti të ketë dhembshuri edhe për veten. Të pranojë kufijtë e tij. Të kuptojë se nuk duhet të jetë i përsosur për të qenë i dobishëm.

Ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Ndonjëherë shohim profesionistë që e paraqesin veten sikur e kanë zotëruar plotësisht jetën. Besimi mund të frymëzojë besim, por kur shndërrohet në arrogancë krijon iluzionin se disa njerëz qëndrojnë mbi gjendjen njerëzore. Asnjë diplomë, teori apo titull profesional nuk e përjashton askënd nga vuajtja. Ajo që mbetet e rrallë dhe thelbësore është aftësia për të qenë vërtet njeri përballë vuajtjes së një personi tjetër.

Profesionistët më autentikë nuk janë ata që paraqiten si të paprekshëm, por ata që e kuptojnë se poshtë çdo roli, arritjeje apo njohurie qëndron e njëjta brishtësi njerëzore që na lidh të gjithëve. Në fund, ajo që ka rëndësi nuk është vetëm ajo që dimë, por kush jemi.

arta

Dhembshuria, përulësia dhe prania njerëzore mund të jenë po aq të rëndësishme sa çdo ekspertizë që zotërojmë.

Mençuria nuk matet vetëm me sasinë e informacionit që kemi, por me mënyrën se si përballemi me vuajtjen, pasigurinë dhe brishtësinë e të qenit njeri.

Mbi të gjitha, udhëtimi i secilit është unik dhe personal. Jo çdo dhimbje është e detyruar të shpjegohet apo të kuptohet plotësisht nga të tjerët.

Ndoshta mësimi më i madh është se ne nuk jemi këtu për të zotëruar çdo mister të jetës, por për të mbetur thellësisht njerëzorë brenda saj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top