FB

October 25, 2021 | 8:10

Femrat marrin vendime më të mira se meshkujt

Sipas një stereotipi, për femrat marrja e vendimeve është gjithmonë një proces i gjatë: kur kalojnë orë të tëra për të zgjedhur një palë këpucë, imagjinoni se sa kohë u duhet për të marrë një vendim të rëndësishëm. Por a janë meshkujt më të zotë për të marrë vendime? Jo tamam: një libër i ri, i titulluar “Si vendosin femrat” (“How women decide”) i shkruar nga Therese Huston, doktore kërkimesh në “Center for the Neural Basis of Cognition” në Universitetin e Pittsburgh, shpjegon se përse vendimet e marra nga femrat janë “më të mira” dhe përse, nga ana tjetër, shoqëria ka tendencën t’u besojë vetëm zgjedhjeve që bëhen nga meshkujt.

Huston shpjegon se e ka pasur pikënisjen e librit nga vëzhgimi i realitetit që e rrethonte: “Ka dhjetëra studime mbi kohën që u duhet femrave që të marrin vendime çdo ditë: u duhet kohë, për shembull, të zgjedhin se çfarë të veshin. Por ku janë studimet e të njëjtit tip mbi kohën që u duhet meshkujve për të zgjedhur një makinë? Këto stereotipe i japin dorë idesë që, nëse dëshironi që një vendim të merret në mënyrë të shpejtë dhe të jetë i efektshëm, është më mirë të kërkoni mendimin e meshkujve duke vënë në dyshim aftësinë e femrave për të bërë zgjedhje të rëndësishme në jetë.

Para së gjithash, vura re se tiparet që karakterizojnë njerëzit që janë të aftë të marrin vendime, janë të mbivlerësuara. Sipas disa studimeve, marrja e vendimeve është një nga cilësitë kryesore që kërkohen te një lider. Studime të tjera kanë nënvizuar se si shoqëria ia atribuon këto cilësi sidomos meshkujve. Pavarësisht kësaj, studimet shkencore kanë treguar se si meshkujt dhe femrat mundohen në të njëjtën mënyrë në marrjen e vendimeve. I vetmi ndryshim që gjeta qëndron te vitet e adoleshencës: adoleshentet janë më të pavendosura se sa djemtë”. Të tjera ndryshime, siç është normale që të jenë, duhen kërkuar në sjellje të ndryshme që vijnë nga seksi: “Femrat janë më bashkëpunuese – shpjegon Huston – ndaj një eprore femër ka tendencën të kërkojë më shumë mendimin e atyre që ka pranë, para se të marrë një vendim.  Të dhënat që femrat kërkojnë mund t’i shtyjnë ato të marrin vendime më të mira, por ironikisht, shpesh shihet si një shenjë dobësie”.

Ndikim më të madh në cilësinë e vendimeve ka edhe stresi: meshkujt dhe femrat reagojnë ndryshe përballë situatave stresuese. Duke u bazuar në studimet që ka botuar autorja në librin e saj, femrat ia dalin të qëndrojnë më të përqendruara edhe nën tension: vendimet e marra në ato momente kanë rezultuar më të qendërzuara dhe të kalibruara krahasuar me ato që kanë marrë meshkujt, të cilët, nën stres, kanë tendencën të marrin vendime impulsive e për rrjedhojë edhe më të rrezikshme.

“Por nëse femrat janë në një tryezë bashkë me meshkujt, vendimet e tyre a do të merren njësoj seriozisht si vendimet e kolegëve të tyre? Sidomos në vendin e punës, meshkujt respektohen shumë më tepër si individë vendimmarrës”, – shpjegon autorja. Ka ardhur momenti që ta hedhim poshtë këtë koncept, edhe sepse, për autoren, është vetëm frut i stereotipeve dhe nuk ka asnjë vërtetësi shkencore.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 161

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top