Në fokus

September 14, 2020 | 10:37

Melisa Shehu: E rëndësishme nuk është që fëmija juaj të jetë më i miri në klasë, por të bëjë më të mirën e tij

0 deri në 6 vjeç është mosha më e rëndësishme ku ti si prind kujdesesh që fëmija yt të ketë një shëndet të mirë mendor, që lidhet me mënyrën se si reagon, si ndihet, si sillet, sa i pavarur është, dhe se si i janë mësuar të bëhen gjërat, pra faktorë të rëndësishëm këto të personalitetit.

Melisa Shehu, psikologe këshillimi

Melisa Shehu, psikologe këshillimi

Në moshën 6-vjeçare fëmijës tënd i duhet të përballet me shkollën, me detyrat, me shokët, shoqet, pra me një realitet ndryshe. Ajo çka prindërit duhet të kenë parasysh është shumë e rëndësishme për shëndetin e tyre psikologjik.

Së pari, prindi duhet të punojë paraprakisht me idenë që shkolla po fillon, çfarë do ndryshojë dhe se si fëmija duhet ta përballojë të gjithë këtë. Gjithashtu prindërit ose personat më të afërt të familjes me të cilët fëmija është i lidhur, duhet të ndajnë eksperiencat e tyre të mira në lidhje me shkollën.

Mos harroni çdo moment të përsërisni veten duke treguar mbështetje, siguri dhe shumë dashuri. Ju deri tani keni punuar me fëmijën tuaj, i keni mësuar pak nga pak, se si mësohet, se si sillet, por asnjë moment nuk duhet të harroni faktin që e rëndësishme nuk është që fëmija juaj të jetë më i miri në klasë, por të bëjë më të mirën e tij. Prindi duhet të mësojë të njohë fëmijën e tij, dhe të dijë se ç’di të bëjë më mirë dhe a mundet të bëjë më shumë.

3

Ndaj duke njohur fëmijën tuaj ju nuk i ushtroni atij presion për të qenë patjetër më i miri në klasë, por të bëjë më të mirën e tij. Kështu që ai fiton siguri dhe vetëbesim. Kjo është mënyra e vetme që fëmija juaj të përmirësohet!

Kur fëmija juaj të kthehet nga shkolla, pyetja e parë që ne përgjithësisht u bëjmë është: “Çfarë note more sot?” Në fakt kjo është pyetja më e gabuar që prindërit bëjnë. Fëmija duhet të pyetet, si ka kaluar? Si është argëtuar? Dhe duhet ta lini të lirë të shprehet për atë çka fëmija dëshiron apo i ka bërë përshtypje, dhe pavarësish lodhjes tuaj të përditshme në punë, ju duhet të gjeni gjithmonë kohë për ta dëgjuar, pyetur, dhe treguar se sa shumë ju intereson gjithçka që ata duan të thonë.

I gjithë ky proçes është shumë i rëndësishëm dhe delikat, prindi duhet të te tregohet i kujdesshëm dhe i detajuar, fëmija juaj mund të fillojë të shfaqë shenja të stresit, ankthit, apo të ndihet i vetmuar dhe jo i përshtatshëm për ambientin e shkollës. Ndaj roli juaj është shumë i rëndësishëm në përshtatjen e fëmijës në shkollë.

2

Fillimi i shkollës është një ngjarje e re jo vetëm për fëmijët por dhe për ju, dhe mënyra se si ju e përballoni modelohet menjëherë nga fëmija juaj, ndaj duhet të jeni të kujdesshëm në menaxhimin e emocioneve tuaja.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top