FB

July 20, 2021 | 8:24

Ndonjëherë heshtja është më e mirë se fjala

 

Ndonjëherë keni nevojë të përdorni zërin tuaj për të folur kundër padrejtësive, për t’u ngritur për të drejtën. Herë të tjera, heshtja është flori. Por si ta kuptoni se kur duhet të heshtni dhe kur duhet të flisni? Është e thjeshtë nëse zbatoni dy rregulla të thjeshta. Lexoni më poshtë për të kuptuar se cilat janë ato.

Kohët e fundit, duket sikur çdo njeri rreth e rrotull nesh i mban gjërat brenda vetes, në vend që të flasë. E mbajmë gojën mbyllur në momentet kur duhet të ulërasim dhe e hapim atëherë kur në të vërtetë duhet të ulemi e të heshtim.

 

Mësoni se kur është e nevojshme të heshtni. Mos lëndoni të tjerët!

Nuk e di se si t’jua bëj më të qartë. Nëse fjalët tuaja do të lëndojnë dikë dhe nuk keni asnjë lloj përfitimi nga e folura, atëherë heshtni. Sigurisht që ka shumë raste kur të flisni është gjëja më e mirë që duhet të bëni, edhe pse mund ta lëndojë një njeri që e doni dhe e vlerësoni. Nëse shihni se motra juaj po sillet keq dhe me prepotencë me një person tjetër, flisni në emër të tij. Nëse miku juaj bën komente raciste, flisni. Në thelb, nëse nuk flisni për të mbrojtur të drejtat e dikujt, do t’i shkaktoni dhimbje atij, ndaj në raste të tilla duhet absolutisht të hapni gojën e ta mbroni. Nëse nuk është ky rasti kur ndjeni dëshirën e zjarrtë për të folur, atëherë heshtni e kafshoni gjuhën!

 

Mësoni se kur heshtja është flori

Kjo është më e thjeshtë për t’u shpjeguar. Që kur u krijuan mediat sociale, bota ka një problem shumë të madh me njerëzit që shpërndajnë zërat e rremë dhe gënjeshtrat e paturpshme. Edhe gjëja më e thjeshtë shpërndahet si njollë vaji, para se dikush të marrë mundimin për të verifikuar nëse është e vërtetë apo jo.

E dinit se një studim ka zbuluar se Facebook shpërndan lajme të rreme shumë më shpejt se çdo rrjet tjetër social? Ka njerëz që besojnë çdo gjë që shohin, pavarësisht sa i çuditshëm mund të jetë një lajm apo jo. Dhe pa u menduar fare e shpërndajnë në rrjet dhe brenda pak orëve është bërë viral. Të tjerët, ata që e shohin, mendojnë se meqë është një lajm i shpërndarë shumë, do të thotë se është i vërtetë, ndaj bëjnë dhe ata të njëjtën gjë. Dhe kështu, në këtë mënyrë gënjeshtrat përhapen si njollë vaji dhe ky është një problem shumë i madh në kohën që po jetojmë.

Natyrisht, ky nuk është vetëm një problem i ri dhe nuk është i kushtëzuar vetëm nga mediat sociale. Shumë përpara se të ekzistonte Facebook, njerëzit i shpërndanin fjalët pa i vërtetuar më parë. Imagjinoni thashethemet që bëhen mes dy kolegëve në punë apo dhe në ambiente të tjera. Për shembull: Etleva i thotë Elenës se nipi i saj ka parë Jetën të dalë nga një motel me një burrë tjetër. Elena ia thotë këtë “lajm” një shoqeje tjetër, që ia thotë edhe ajo një tjetri deri sa lajmi mbërrin te burri i Jetës. Por del që nipi i Etlevës ka parë një grua që i ngjante Jetës. Për fat, bashkëshorti i Jetës e di mjaft mirë se të dëgjojë thashethemet është budallallëk dhe e njeh mjaft mirë gruan e tij, ndaj as Jeta as ai nuk janë dëmtuar realisht nga fjalët. Por, të gjithë ne e dimë se në një situatë të tillë gjërat mund të përfundojnë shumë më keq!

Çështja është se nëse nuk e keni parë me sytë tuaj të ndodhë diçka, nëse nuk e keni dëgjuar apo vërtetuar nëse është e vërtetë apo jo, mos e shpërndani. Kaq e thjeshtë është! Dhe, edhe sikur ta keni parë një gjë të tillë, ta përhapni si lajm nuk do t’ju ndihmojë, por mund të lëndojë dikë, ndaj heshtni!

Të zbatoni këto dy rregulla të thjeshta mund të shpëtojë më shumë reputacionin tuaj, mund t’ju ndihmojë që të mos shkatërroni marrëdhënien me të tjerët. Veç kësaj, nëse të gjithë do të mësonim të heshtnim, bota do të ishte më shumë pozitive.

 

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: PsychoNews

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top