FB

March 4, 2022 | 8:10

Nga Arsejda Gjyli / Dualiteti i rolit të gruas si nënë dhe profesioniste

Një nga rastet më të zëshme sa i përket përfaqësimit të denjë të një gruaje si nënë dhe si profesioniste, si dhe luftën e gjithkohëshme mes këtyre dy roleve është ai i Margaret Thatcher. “Gruaja e hekurt” e cilësuar si e tillë për karakterin e saj por edhe rolin politik si kryeministrja e parë femër në Britaninë e Madhe.

Arsejda Gjyli, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Arsejda Gjyli, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

 

Lufta më e madhe përgjatë karrierës së saj politike ishte tradicionalizmi i shoqërisë britanike dhe konceptimi i femrës si nënë, por jo si mbajtëse e roleve më të rëndësishme politike. Kjo vjen ngushtësisht e lidhur me faktin se rolet politike me kohë janë mbajtur nga meshkujt dhe kodi i familjes e projekton gruan në rolin e nënës, ndaj edhe tejkalimi i këtij roli bëhet shumë i vështirë. Në këtë kontekst me tërë forcën që e karakterizonte, në prag të heqjes dorë edhe nga vetë ëndrra e saj, Thatcher arriti ta thyente këtë mentalitet dhe të tregonte vlerat më të larta si politikane por edhe si nënë në familje. Kjo përmes një bashkëpunimi të ngushtë me partnerin e saj, i cili e besoi dhe e mbështeti deri në momentin e fundit.

E gjykuar në këtë këndvështrim, mund të themi se roli i gruas si nënë apo si një nga hallkat më të forta në strukturën e familjes nuk bie ndesh me rolin e saj si profesioniste në karrierë, gjithmonë duke gjetur mbështetjen e duhur nga partneri dhe familja. Thyerja e tradicionalizmit në shoqëritë ku është krijuar në vite një mentalitet i caktuar, është goxha e vështirë, por edukimi dhe emancipimi shoqëror mund të sjellë ndryshime të rëndësishme.

Nëse do të argumentojmë rastin e vendit tonë, ne përballemi çdo ditë me rolet e përcaktuara gjinore dhe një mentalitet maskilist. Ky mentalitet ka prodhuar me kohë dhunë dhe tëhuajsim të gruas, duke e detyruar atë të bëjë një jetë të cilën nuk e do, me një partner i cili e detyron të mos jetë vetvetja, me një familje e cila i imponon të martohet me një person të caktuar, e detyruar shpesh të mos arsimohet por të rrisë fëmijët, të mos ndahet nga partneri për arsye të gjykimit dhe damkës morale, etj. Këto kushte e kanë bërë shumë të pafavorshëm paralelizmin e jetës së një gruaje si nënë dhe si profesioniste në karrierë.

Megjithatë, në vitet e fundit arsimimi dhe pavarësia e gruas në shoqëri ka ardhur drejt rritjes, kjo sepse edhe vetë rolet gjinore kanë marrë një tjetër dimension. Tanimë edhe bashkëshorti e sheh veten si një anëtar i barabartë në familje dhe si i tillë ai e mbështet gruan në profesionin e saj. Vetë shoqëria po bën një hap cilësor drejt barazisë gjinore dhe ridimensionimit të roleve gjinore. Në kushte të tilla, përmes përqafimit që shoqëria dhe familja i bën rritjes së gruas si profesioniste, është edhe më e lehtë bashkëjetesa e saj me dy rolet më të rëndësishme që një grua ka, atë të një nëne dhe të një profesionisteje në karrierë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 165

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top