Ka ardhur koha të bëjmë një hap pas nga zhurma e përditshme politike dhe të shohim më qartë se ku ndodhemi dhe mbi të gjitha, se në cilin drejtim duam të shkojmë. Për shumë vite, debati politik në Shqipëri është përqendruar te individët, te përplasjet mes liderëve, te qeveria dhe opozita, te protestat, zgjedhjet dhe krizat e radhës. Rama, Berisha, e vjetra, e reja, revolucioni, protesta, ndryshimi. Pas gjithë kësaj përballjeje qëndron një pyetje shumë më e rëndësishme: Çfarë sistemi politik duam të ndërtojmë dhe mbi cilat vlera duhet të funksionojë?
Sepse një vend mund të ndryshojë qeveri, parti dhe liderë, por nëse nuk ndryshojnë standardet, kultura politike dhe marrëdhënia me institucionet, atëherë ndryshimi mbetet vetëm rotacion.

Prandaj ka ardhur dita të mendojmë seriozisht për ngritjen e një sistemi të ri vlerash dhe kriteresh në politikën shqiptare. Në këtë sezon kam ardhur me konceptin: “A New political brand, in a new political era.” I cili lidhet ngushtësisht me nivelin e përfaqësimit politik dhe publik, ku dinjiteti të mos jetë vetëm një fjalë, por standard i sjelljes publike; ku meritokracia të mos jetë një parullë, por mënyra se si përzgjidhen njerëzit që marrin përgjegjësi; ku përfaqësimi të mos matet vetëm me numrin e mandateve, por me cilësinë e marrëdhënies me qytetarin. Politika ka nevojë për njerëz që nuk maten vetëm me besnikërinë ndaj një strukture, por me aftësinë, integritetin dhe përgjegjësinë e tyre. Nëse sistemi shpërblen vetëm afërsinë me pushtetin, atëherë prodhon varësi. Por nëse shpërblen meritën, krijon institucione më të forta. Kjo është arsyeja pse meritokracia nuk është vetëm një çështje e administrimit publik. Është një çështje e vetë cilësisë së demokracisë.
Në këtë sistem të ri vlerash, shteti i së drejtës duhet të jetë themeli. Standardet, reformat dhe procesi i integrimit evropian nuk mund të trajtohen si një predikim që dëgjohet vetëm kur Shqipërisë i kërkohet të bëjë një reformë tjetër. Shteti i së drejtës duhet të jetë një zgjedhje e brendshme e shoqërisë sonë. Ligji nuk mund të ketë shenjtëri politike dhe as privilegj nuk mund të vendoset mbi të. Ligji duhet të prevalojë mbi çdo privilegj apo përjashtim, sepse aty fillon barazia përpara shtetit.
Demokracia duhet të jetë busulla jonë. Jo si një koncept abstrakt, jo si një fjalë që përdoret në çdo fjalim politik, por si kriteri me të cilin duhet të masim mënyrën se si ushtrohet pushteti. Demokracia nuk është vetëm dita e zgjedhjeve dhe as vetëm e drejta për të votuar. Ajo është edhe përgjegjësia e pushtetit, kufizimi i tij, funksionimi i institucioneve, transparenca, llogaridhënia dhe mundësia që qytetari të ndihet realisht i përfaqësuar. Kur këto elemente dobësohen, dobësohet edhe besimi.
Rruga është e komplikuar dhe ndryshimi nuk mund të vijë vetëm nga një slogan i ri. Ai kërkon parime, vlera dhe konsistencë. Kërkon që politika të kuptojë se pushteti nuk është qëllimi përfundimtar, por përgjegjësia që i besohet asaj. Shqipëria ka nevojë për një politikë që nuk pyet vetëm kush do të qeverisë, por si do të qeveriset; jo vetëm kush do të përfaqësojë, por si do të përfaqësojë; jo vetëm çfarë do të premtohet, por çfarë standardi do të vendoset. Në fund, pyetja më e rëndësishme ështëcilat parime do ta drejtojnë Shqipërinë. Aty fillon politika e re.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

