Psikofakt

November 24, 2017 | 11:30

Panairi i Librit, i parë nga jashtë

Nga Çapajev Gjokutaj

1

Sivjet nuk shkova në panairin e librit. E ndoqa nga media dhe ngushëlloja veten: të shkosh fizikisht sheh disa copëza rastësore, ta ndjekësh nga televizori a gazetat, sheh gjëra të përzgjedhura prej profesionistësh, rrjedhimisht krijon një ide shumë më afër realitetit.

Çapajev Gjokutaj Analist

Çapajev Gjokutaj
Analist

Shpejt do të kuptoja se pasqyrimi mediatik ishte përtej zhgënjimit. Vështirë të thuash pse. Mund të jetë paaftësi gazetarësh. Thuajse na mungojnë gazetarët e profilizuar për kulturën, që të jenë autoritete publicistike.

Veç kësaj, mediat, edhe ato më seriozet, i lenë vend periferik kulturës dhe shumicën e herëve përqëndrohen tek kronika rozë. Libri gjithnjë e më shumë po bëhet mysafir i rrallë në gazeta e televizione. Si për t’u dalë në krahë llapaqenëve të qëmotshëm, që thoshnin se librat e shqiptarit i kanë ngrënë dhitë.

Lexova se këtë vit panairi ishte i varfër në aktivitete shoqëruese si diskutime, debate, biseda me autorë etj. Parë kështu ishte panair libri, por pa libra. Duket si lojë fjalësh.

Në fakt, libra kishte me shumicë. Rreth 200 ishin botime të reja, që vinin për herë të parë. Por libri bëhet libër kur lexohet.

Ngjarje të tilla duhet të nxisin lexime publike, dmth vlerësime, debate, kritika për titujt më të mirë, për prirje të letërsisë, të përkthimeve, botimeve etj. Kështu krijohet opinion dhe nxitet leximi. Në të kundërt s’kemi libra, por mallra. S’kemi panair, por shumësi kioskash.

Nuk mungoi qarja e përvitshme: botuesit përballen me vështirësi. Puna ka arritur që një pjesë e librave të botohen në tirazhe 200 kopje. Mungojnë politikat kulturore që do të zbusnin vështirësitë e një tregu të vogël e të varfër. Taksat për krijuesit dhe botuesit janë të larta.

Të gjitha këto janë të vërteta, por duke u përsëritur nga viti në vit bëhen avaz e s’bien në sy.

Në vend të qarjeve, mbase duhen kërkuar zgjidhje alternative. Ndër problemet më të mprehta psh është mungesa e rjetit shpërndarës të librit. Vetëm në pak qytete ka aty-këtu ndonjë librari. Në shumicën e qytezave dhe në fshat libri nuk shkon fare.

Në këto rrethana do parë mbase, si një nga alternativat, botimi elektronik. Libri elektronik ka disa përparësi. Mund të shkojë kudo, në qytet dhe në fshat, në trojet shqiptare dhe në emigracion. Botimet elektronike do të bënin që tregu i nesërm i librit të synonte audiencën prej 10 milionë shqiptarësh, në trojet amtare dhe të shpërndarë nëpër botë.

Veç kësaj, libri elektronik ka kosto me te ulëta se i printuari (leter, bojra, shtypshkrim, magazinim, shperndarje etj). Me shpresë, ulja e kostove do ndikojë edhe tek çmimet e librave. Sot janë të paarritshme për një shumicë lexuesish potencialë. Sado i apasionuar pas librit të jesh, nuk e ke të lehtë që të harxhosh pagën e një ditë pune a më shumë për të blerë vetëm një libër.

Si çdo gje e re, edhe libri elektronik nuk hyn sot per neser. Do kohen e vet. Edhe ne boten e zhvilluar nuk i kalon 20% te teresise së titujve. Por në vende si ShBA, kopjet e shitura të librave elektronikë po tejkalojnë ato të librave në letër.

Gjithsesi libri elektronik ka dhe neser do të kete edhe me shume perparesi ne perdorim, ndaj do te vije duke u shtuar. Edhe ne shqip.

Natyrisht botimet elektronike kanë vështirësitë e veta, por hapi i parë është të diskutohet si alternativë dhe të synohen politika favorizuese.

Botuesët e sotëm, të lidhur pas shtypshkrimit, vështirë se mund të bëhen aktorë kryesorë për ndërtim strategjish në favor të librit elektronik. Duhen inkurajuar dhe mbështetur djem e vajza të pajosura me ndjenjën e sipërmarrjes, me dije bashkëkohore por edhe me dashuri për gjuhën dhe kulturën amtare.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com