FB

December 21, 2021 | 8:03

Shkenca e komunikimit dhe teoritë e saj / Të shkëmbesh ndjenja, ide e informacione…

Komunikimi, në thelb, përbën lidhjen midis njerëzve. Kjo lidhje bëhet me anë të të folurit, megjithatë shumica e njerëzve e konsiderojnë të folurit objektiv vetëm si një mjet të mangët për të komunikuar siç duhet, dhe është e sigurt se biseda është vetëm një “mjet” shprehjeje në shërbim të një personaliteti që nuk mund të reduktohet vetëm në ato që thotë (për këtë arsye dy njerëz nuk arrijnë t’i thonë gjithçka njëri-tjetrit, një herë e përgjithmonë).

ilia

Nga: Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

Pra të folurit është i vetmi lloj që në mënyrë objektive nëpërmjet komunikimit respektohet plotësisht personaliteti i tjetrit dhe që t’i japë atij këtë të drejtë, duhet një nivel i lartë kulture dhe bindjeje se, të folurit është bërë për të biseduar dhe për të këmbyer mendime për interesa të ndërsjella (d.m.th dhe anasjelltas, marrësi kthehet në dhënës dhe dhënësi në marrës).

Zhvillimi i komunikimit ka një ndikim thelbësor në të gjithë zhvillimin e jetës njerëzore, e cila ka ndikuar në krijimin e vetë qytetërimit tonë.

Të komunikosh do të thotë “të shkëmbesh ndjenja, ide e informacione”.

Le t’i shqyrtojmë me radhë komponentët e këtij përkufizimi, me qëllim që të nxjerrim dallimin thelbësor ndërmjet komunikimit njerëzor dhe komunikimit të kafshëve etj.

1

Ku qëndron ndryshimi për ndjenjat midis njeriut dhe kafshës?

Së pari, qenia njerëzore, duke komunikuar, shkëmben ndjenja. Në botën e kafshëve nuk mund ta gjejmë konceptin e ndjenjës.

Do të ishte deri qesharake të pretendojmë se një zebër “ka rënë në dashuri”. Ndjenja, si e tillë, ka një konotacion tepër të gjerë dhe kompleks dhe është një fenomen që e ndeshim vetëm në llojin njerëzor. Në fakt, kur themi ndjenjë, është e paevitueshme që të fusim në këtë koncept edhe mendimin, çka e bën ndjenjën, një “privilegj” të llojit njerëzor.

Në botën e kafshëve mund të gjejmë një fenomen që mund të tentojmë ta përkufizojmë si gjendje emotive (që nxitet nga shkarkime hormonale e reagime të neuroneve ndaj ngacmuesve të jashtëm). Një kafshë mund të provojë frikë dhe mund ta komunikojë atë. Gjithashtu, një kafshë mund të ndjejë frikën e kundërshtarit dhe ta sulmojë atë. Një kafshë mund të bëhet agresive, çka në sferën e emocioneve njerëzore mund të përkthehet si zemërim, një kafshë mund të ndjejë feromonet e një kafshe tjetër të seksit të kundërt dhe të ndjejë atraksion seksual ndaj saj, çka përbën bazën e dashurisë erotike në llojin njerëzor.

Komunikimi në botën e kafshëve duket shumë rudimentar, nëse e krahasojmë me atë të llojit tonë, megjithatë, ai është plotësisht funksional për to. Qenia njerëzore e komunikon ndjenjën nëpërmjet mendimit (konjicionit). Ne kemi krijuar simbole abstrakte (fjalë, përgjithësisht) për të përfaqësuar dhe komunikuar ndjenjat tona.

0Kur dikush më thotë se “është i zemëruar”, unë, duke e ditur kuptimin e fjalës, mund ta kuptoj lehtë se ç’do të më thotë. Megjithatë, fjala në vetvete, nuk më thotë gjithçka. Në fakt, unë thjesht, kuptoj (pra, vë në punë mendimin) se ç’po më thotë bashkëbiseduesi im, por nuk arrij ta ndjej atë që ai po më thotë, unë nuk ndjej zemërimin e tij.

Së dyti, qenia njerëzore komunikon ide. Nuk mund të kemi dyshime se komunikimi i ideve është një karakteristikë unike e saj. Kjo për vetë faktin se ajo është e vetmja krijesë në planetin tonë që ka aftësinë të abstragojë, të krijojë ide e mendime të ndërgjegjshme, të krijojë simbole e imazhe mendore abstrakte.

Këto ide, qenia njerëzore i komunikon nëpërmjet formave simbolike të komunikimit, më e rëndësishmja prej të cilave është fjala.

Së treti, ne shkëmbejmë informacione. Kjo është një karakteristikë që e gjejmë edhe në botën e kafshëve. Kafshët janë në gjendje të shkëmbejnë informacion me anëtarët e tjerë të species së tyre (kujtojmë këtu qoftë edhe vetëm rastin e fluturimit rrethor të bletëve, me anë të të cilit ato i komunikojnë bletëve të tjera ku ndodhet burimi i ushqimit) dhe shpesh shkëmbimi i informacionit tek to ka arritur një shkallë kaq të lartë perfeksioni sa mund të duket si i ndërgjegjshëm.

Megjithatë, edhe këtu, duhet të bëjmë dallimin ndërmjet informacionit që shkëmbehet në mënyrë të qëllimshme, karakteristikë e qenies njerëzore; dhe informacionit që shkëmbehet tek kafshët, i cili është instiktiv.

 

Cila është ajo që e bën njeriun cilësisht të ndryshëm nga kafshët duke iu referuar formave të komunikimit:

Pra, pak a shumë të gjitha format e komunikimit, përveç atij të ideve, i gjejmë edhe në botën e kafshëve. Ajo çka e bën qenien njerëzore cilësisht të ndryshme prej kafshëve të tjera është pikërisht aftësia konjitive shumë më e sofistikuar, ndërgjegjja, e cila ndërhyn në të gjitha format e komunikimit tonë, duke i dhënë atij një ndryshim thelbësisht cilësor ndaj atij të kafshëve të tjera.

Është pikërisht ky komunikim, cilësisht i ndryshëm, që qëndron në bazë të gjithë arritjeve të qytetërimit njerëzor. Në fakt, ç’vlerë do të kishte cilado prej shpikjeve të njeriut (duke filluar që nga zbulimi se një gur i mprehtë mund të çajë mishin e deri te Teoria e Relativitetit) nëse nuk do të ishim në gjendje t’u komunikonim të ngjashmëve tanë atë që kemi zbuluar?

Sa më shumë zhvillohen format e komunikimit, aq më shumë zhvillohet qytetërimi ynë.

2

Çfarë realizojnë njerëzit përmes komunikimit:

Përmes komunikimit njerëzit kanë realizuar dhe realizojnë shumë nga nevojat dhe motivet e tyre, që nga komunikimi me veten, me të tjerët të ngjashëm dhe të pangjashëm me mjedisin ku rriten dhe atje ku zhvillohen vazhdimisht etj.

 

Cila është një nga idetë e hershme të Aristotelit në lidhje me ligjëruesin:

Pra emërtimi i komunikimit si subjekt ka ecur nëpërmjet një procesi shumë të gjatë. Që në hershmëri, një ndër filozofët më të famshëm dhe nga më të njohurit, Aristoteli, shkroi: “Artin e Retorikës” (Reth 330 vjet para Krisht). Një ndër idetë e tij më të hershme dhe më të diskutuarat ende sot është se, një ligjërues, i cili ka një synim që të bindë të tjerët, përdor Ligjëratën (logos), Emocionalitetin (pathos) dhe Etikën (ethos).

 

Filozofët më të përmendur për sa i përket artit të ligjërimit:

Vite më pas Aristotelit, romakët nisën të shkruanin mbi artin e të ligjëruarit. Dy më të famshmit ishin: Ciceroni (106-43, para Krishtit) dhe Kuintiliani (35-100, pas Krishtit). Gjithashtu Shën Agustini i cili jetoi në shekullin e pestë, duke qenë dishepull i krishterë, ishte ndër të parët që shkroi mbi teoritë e predikimit.

 

Sipas Omerit çfarë janë fjalët:

Sipas Omerit (Autorit të Iliadës dhe Odisesë), fjalët janë pjesë përbërëse e një shigjete e cila është drejtuar drejt një shënjestre të përcaktuar. Kjo karakteristikë e saj e materializon duke i dhënë një fuqi konkrete gjithë jetës së njeriut. Ajo del si subjekt që paraqitet veç një çast të caktuar i cili nuk mund të ndalet, apo të eliminohet mbasi është thënë.

 

Ç’është dhe dhe çfarë kërkon komunikimi?

Komunikimi (lat. cum = me, munire = lidh, ndërtoj), është ecuria që lejon gjallesat të shkëmbejnë informacion nëpërmjet disa mënyrave dhe niveleve. Komunikimi kërkon që të gjitha palët të kuptojnë një gjuhë të përbashkët që mund të shkëmbehet.

 

Ndikimi i Aftësive të mira në komunikim për dobitë individuale apo kolektive:

Aftësia e mirë e komunikimit është thelbësor për suksesin e çdo individi, përmirësimi i saj shpie në suksese në punë dhe në jetën personale. Ajo duhet të perceptohet si një aftësi profesionale që mund të mësohet dhe të përdoret për avantazhe në fusha të caktuara. Në këtë mënyrë dhe kultura e komunikimit mund të kthehet në një art në vete i përdorshëm për dobitë individuale apo kolektive.

3

Një nga idetë më të hershme të Aristotelit kur ligjëruesi të bëhet bindës

Emërtimi i komunikimit si subjekt ka ecur nëpërmjet një procesi shumë të gjatë. Që në hershmëri, një ndër filozofët më të famshëm dhe nga më të njohurit, Aristoteli, shkroi: “Artin e Retorikës” (Reth 330 vjet para Krisht). Një ndër idetë e tij më të hershme dhe më të diskutuarat ende sot është se, një ligjërues i cili ka një synim që të bindë të tjerët, përdor Ligjëratën (logos), Emocionalitetin (pathos) dhe Etikën (ethos).

 

Efektiviteti i Komunikimit në këndvështrimin Psikologjik

Komunikimi në këndvështrim psikologjik sa dhe etik, duke synuar drejt rritjes së efektivitetit të tij, sa vjen dhe zhvillohet edhe më shumë, duke u përfshirë në të sa filozofë, psikologë e sidomos sociologë dhe studiues të kësaj shkence e cila ka një fuqi të jashtëzakonshme në një shoqëri demokratike në zhvillim e sipër e cila mbështetet në ndryshimet përmes fuqisë për të përsosur performancën e njeriut të qytetëruar dhe të emancipuar në frymën e iluminizmit.

Kjo performancë veç anës ekonomike, sociale, zbatimit të normave Etike, shijeve Estetike, konsiston dhe në realizimin e komunikimit efektiv (sa të përgjithshëm, psikologjik, human dhe etik), për të bindur, zbuluar, eksperimentuar, përcjellë ide, vlera dhe standarde në aspektin e marrjes dhe dhënies së mesazheve që përmbajnë informacione.

Pra shkurt: Një person, për të bërë një shok, një mik, për të pyetur dhe dëgjuar, për të dhënë dhe marrë një përvojë, për të përcjellë dhe marrë një këshillë, për t’u motivuar dhe motivuar të tjerët e të tjera, kërkohen domosdoshmërish aftësi komunikuese.

 

Objekti i komunikimit

Komunikimi është një dukuri sociale e ndërlikuar i cili realizohet me mekanizma dhe mjete të ndryshme por edhe i kushtëzuar dhe nga shumë faktorë të tjerë. Gjithsesi, komunikimi në çdo rast mbart e përcjell mesazhe, ide dhe mendime, por edhe ndjenja, sjellje dhe qëndrime mes njerëzve, organizatave, organizmave, shteteve, kombeve e të tjera. Këto shprehen në forma të ndryshme, herë të qarta e herë-herë dhe të pakuptueshme. Pikërisht, për t’i deshifruar këto gjeste, fjalë dhe vokalitete na vjen në ndihmë Psikologjia e Komunikimit e cila është shkenca që studion atë çka është psikologjike, etike sa dhe humane në procesin e komunikimit, si një dukuri sa e ndërgjegjshme po aq dhe e pandërgjegjshme, si dhe sa shkencë dhe art njëkohësisht.

 

Komunikimi është shkencë

Komunikimi është shkencë, sepse ai është i bazuar shkencërisht tek teoritë e veta, si dhe është art sepse, çdo qenie njerëzore ka individualitetin e vet në shprehjen e të njëjtës gjë. Komunikimi në tërësinë e vet (human, apo njerëzor etj.,) është një shkencë që ka lidhje edhe me shkencat e tjera si: Me psikologjinë sociale, atë të personalitetit, me atë emocionale-motivacionale, sociologjinë, linguistikën, me etikën, biologjinë, me anatomo-fiziologjinë e të tjera.

 

Teoritë kryesore të komunikimit

Ka shumë mënyra konceptimi, vlerësimi dhe interpretimi për komunikimin human. Ato mbështeten në filozofi dhe teori të ndryshme, me orientimin sociologjik, psikologjik, psikolocial, gjenetik, etiko-moral, pedagogjik ose edukativ. Mbi bazën e tyre, psikologjik, etiko-moral, pedagogjik ose edukativ. Mbi bazë të tyre komunikimi human shpjegohet në shumë mënyra të ndryshme dhe kështu na rezulton si një dukuri, akt, proces, nevojë apo sjellje e lindur ose e mësuar, e kushtëzuar nga faktorë shoqërore, psikologjike, gjenetike apo edukativë.

Ndikimi i këtyre faktorëve, herë-herë zmadhohet. Por, pavarësisht nga mbivlerësimi i tejskajshëm i njërit apo tjetrit, prania e tyre në komunikimin human është e natyrshme, sepse subjektet që komunikojnë janë qenie sa biologjike, po aq dhe shoqërore, janë produkti i trashëgimisë biologjike, por edhe i rrethanave apo i mjedisit shoqëror ose edhe i edukimit.

Komunikimi është një dukuri komplekse

Nga kjo pikëpamje, komunikimi është një dukuri komplekse dhe, si i tillë, hap shtigje për interpretime të ndryshme, nga këndvështrime te ndryshme, që u përkasin teorive të ndryshme. Ato janë të shumta, ca më tepër po të mbahet parasysh që çdo drejtim apo autor mund të ketë te përpunuar një teori apo filozofi të vetën, mbi bazën e këndvështrimit të vet.

Në komunikimet tona, shpesh dëgjojmë te thuhet: “Sipas mendimit tim” ose “sipas pikëpamjes sime”. Këto mendime apo pikëpamje, me theks vetjak dhe shpesh mbi baza intuitive ose empirike, meritojnë vëmendje. Ato mund t’i gjesh brenda disa teorive të njohura, të konsoliduara, me një strukturë dhe përmbajtje të përcaktuar, por ato mund të qëndrojnë edhe jashtë tyre.

Në këtë rast, pikëpamja jonë mund të klasifikohet si “pikëpamje origjinale”. Si e tillë, duhet vlerësuar. Megjithëse ajo nuk përbëri ende thelbin e një teorie të veçantë, solide dhe të përpunuar mbi baza shkencore. Gjithsesi, kjo pikëpamje mund të përbëjë kontribut fillestar e modest, qoftë edhe për faktin se mund t’i hapë rrugë diskutimit apo debatit rreth teorive kryesore ekzistuese.

 

Thelbi i teorisë së komunikimit nisur nga orientim biologjik:

1.Teoritë me orientim biologjik, që, si bazë konceptuale të komunikimit human, kane trashëgiminë biologjike, kapacitetin natyror të individit, për të mbartur dhe zhvilluar më tej tiparet karakteristike të paraardhësve të vet, fondin gjenetik apo dispozitat dhe instinktet e lindura. Kështu, p.sh., komunikimi altruist, për të ndihmuar njëri-tjetrin në rrezik dhe në nevojë, trajtohet mbi baza instinktive (instinkti i mbijetesës).

Po kështu dhe komunikimi konformist (instinkti i tufës), komunikimi agresiv (instinkti i vetëmbrojtjes) ose komunikimi i nënës i me fëmijën e vet, që përkujdeset dhe e mbron atë, duke e shtrënguar në gji (instinkti prindëror) dhe shumë komunikime të tjera, që interpretohen si akte, që, kryesisht, marrin shkas nga motive biologjike: për t’u ushqyer, për të shuar urinë dhe etjen, për tu rritur i shëndetshëm, për të pasur një zhvillim fizik normal dhe trup të fortë e të bukur, për të bërë seks, për t’u mbrojtur nga rreziqet apo sëmundjet, e të tjera.

2.Teoritë me orientim sociologjik, që, si bazë konceptuale të komunikimit human kanë: mjedisin shoqëror, rrethanat, situatat dhe ngjarjet shoqërore, nevojat dhe interesat shoqërore, integrimin shoqëror dhe çdo faktor tjetër me natyrë shoqërore. Sipas këtyre teorive, komunikimi human interpretohet si një proces apo akt që merr shkas, kryesisht, nga motive shoqërore, ekonomike, kulturore, politike, etj.

3.Teoritë me orientim psikologjik që, si bazë konceptuale të komunikimit human, kane sferat kryesore të veprimtarisë psikike të personalitetit:

a.sferën njohëse apo konjitive;

b.sferën emocionale ose te përjetimeve;

c.sferën motivacionale, psikomotore, te sjelljes dhe te veprimeve.

4.Trajtimi psikanalitik i komunikimit human, si proces apo akt, ku synon:

Trajtimi psikanalitik i komunikimit human, si proces apo akt, që synon njohjen në thellësi të vetëdijes, të asaj që s’duket, që ruhet brenda nesh, të sjelljes së brendshme, të mendimeve dhe të ndjenjave të ndrydhura dhe të mbyllura në labirintet e nënvetëdijes a të shpirtit.

5.Trajtimi bihejviorist i komunikimit human, sipas skemës:

S (stimul) ÷ R (reagim) + P (përforcim). Kështu, p.sh., në komunikimet mësues-nxënës, fjala e mësuesit konceptohet si një stimul, të dëgjuarit e saj, si një reagim i nxënësit.

Kur ai dëgjon me vëmendje, lavdërohet, reagimi i tij pozitiv ndaj fjalës së mësuesit përforcohet dhe, kështu, përftohet sjellja e dëshiruar ose sjellja e ndryshuar, e cila, duke u përforcuar sistematikisht, bëhet e qëndrueshme, bëhet zakon ose refleks.

6.Komunikimi Human

Teoritë e edukimit, që, si bazë konceptuale të komunikimit human, kane komunikimin e kultivuar, të edukuar, jo aq të lindur, sesa të fituar, të mësuar përmes transmetimit të përvojës komunikative. Përmes edukatës familjare, shkollore dhe shoqërore, por edhe përmes përpjekjeve vetjake. Për t’u vetëpërsosur nga pikëpamja komunikuese. Për të përsosur mjeshtërinë e komunikimit ose për të zotëruar një mjeshtëri të re, një stil të ri, një mënyrë të re të shprehuri, deri edhe duke u parë në pasqyrë.

6

Çfarë arrihet nëpërmjet këtyre teorive të komunikimit?

Sipas këtyre teorive, rriten aftësitë komunikative, shkathtësitë dhe shprehitë për të komunikuar, përvetësimi dhe përsosja e tyre, deri në zotërim. Këto përbëjnë objektiva te rëndësishme të edukimit, të riedukimit dhe të vetëdukimit, duke filluar nga edukata familjare, shkollore e shoqërore, e deri te veprimtaria edukative në përgjithësi.

Kjo veprimtari, me mekanizmat e veta psikologjike dhe pedagogjike, me strategjitë dhe teknikat e saj, vlerësohet nga teoritë e edukimit si një veprimtari me mundësi të mëdha për zhvillimin e komunikimeve midis subjekteve në edukim dhe për integrimin shoqëror të tyre. Problemi është se sa dhe si shfrytëzohen këto mundësi.

5

Konkluzionet

Nga kjo paraqitje, shumë e përmbledhur, që iu bëmë teorive kryesore, shërbejnë si baza konceptuale për komunikimit human, del konkluzioni ku secila prej tyre, ka një thelb racional, të pranueshëm, sipas mjaft studiuesve të fushës së psikologjisë, të cilët, duke vlerësuar atë çka është racionale në teoritë e veçanta të komunikimit human, kanë arritur të përpunojnë atë që quhet-teoria konvergjente.

Sipas kësaj teorie ky komunikim na paraqitet me një kuptim shumë të gjerë, shumëplanësh dhe shumëfaktorësh, ashtu siç është dhënë në fillim te këtij materiali.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top