Mirëqenie

September 6, 2018 | 14:02

Si të shijoni sa më shumë natyrën

Për të luftuar ankthin dhe stresin natyra është gjithmonë gati për të na ndihmuar. Barnat kimike përballë këtyre sëmundjeve ushtrojnë një veprim të fortë dhe të menjëhershëm, por më pas duhet të merremi me efektet anësore, si koordinimi i dobët i lëvizjeve dhe përgjumja. Jeta pa lëvizje është një nga arsyet e para për formimin e stresit dhe ankthit. Nëse del për një shëtitje nuk ndodh asgjë e keqe, përkundrazi, kjo gjë të ndihmon për të forcuar imunitetin dhe të mban në formë.

Ecja është një filozofi e jetës, stërvit zemrën, mushkëritë, rregullon tensionin e gjakut, tonifikon këmbët, vithet, krahët, i mban kockat e lubrifikuara, përmirëson rezistencën nga sëmundjet. Ecja është një kënaqësi, por nevojitet t’ia merrni ritmin pak e nga pak. Ai që zhvillon një jetë pa lëvizje, ose ndryshe sedentare, mund të fillojë duke bërë një shëtitje 10-20 minuta dy ose tri herë në javë për disa muaj rresht, duke e shtuar gradualisht kohën në 30-40 minuta. Kur ecim, fillojnë përfshihen shumë shqisa. Nëse zgjidhni të ecni në mal ose në një zonë bregdetare menjëherë rrëmbeheni nga aromat e natyrës. Tingujt pak nga pak fillojnë të qetësojnë nervat dhe peisazhet e bukura përmirësojnë ekuilibrin mendor. Të qëndroni jashtë në ajër të pastër, larg nga zhurmat e qyteteve dhe nga shqetësimet e përditshme i bën mirë humorit, sepse çlironi endorfinë, që sipas disa shkencëtarëve ka aftësi qetësuese të njëjtë me morfinën dhe opiumin.

Një shëtitje në pyll mund të bëjë shumë mirë për të lehtësuar stresin dhe ankthin, duke vepruar si qetësues dhe riekuilibrues për sistemin nervor, e cila e bën më të lehtë përgjigjen e organizmit ndaj situatave të vështira të jetës. Para së gjithash duhet të ndryshojë stili i jetës. Kur ndjeni se nuk jeni mirë, ndiqni një regjim të shëndetshëm ushqimor dhe udhëhiquni nga ndjenjat. 

Është mirë të ripërjetoni kënaqësinë e vetmisë ndërkohë që ecni në një park, kur ndalni për të dëgjuar këngën e zogjve, apo të qeshurën e një fëmije që luan. Ankthi dhe stresi janë arsye për të kontraktuar muskujt. Qafa dhe zona e mesit rëndohen dhe lëvizjet janë të limituara. Merrni frymë thellë. Ajri i pastër, të cilin vetëm një vend i pasur me gjelbërim mund t’jua ofrojë, përmirëson oksigjenimin e të gjithë organizmit. Menjëherë do të ndjeni një ndjesi mirëqenieje dhe përfitime të mëdha për tonifikimin e muskujve dhe të mendjes.

Përfitimet psiko-fizike

Gjatë studimit “Examining Group Walks in Nature and Multiple Aspects of Well- Being: A Large-Scale Study”, e botuar në vitin 2014, një ekip studiuesish amerikanë analizuan efektet e shëtitjeve për mirëqenien e organizmit. Nga subjektet e përfshirë në eksperiment doli në pah që të ecësh në mjedise natyrale stimulon ndjenjat pozitive: hap pas hapi nivelet e stresit u ulën shumë, ashtu si dhe ndjenjat e lidhura me frikën e ankthin. Të shëtitësh në shumë vende mund të shndërrohet në një traditë: ta bësh këtë gjë me miqtë, familjen dhe fëmijët do të thotë të kalosh momente të çmuara me ta, duke hequr mendjen nga çdo shqetësim dhe duke u çlodhur. Për të mbushur me energji trupin dhe mendjen, duhet të kaloni kohë me të dashurit tuaj, por mbi të gjitha edhe për të gjetur veten.

Shfrytëzoni të gjitha mundësitë

Të dish si të mbash ekuilibrin mendor është një gjë mendore… por edhe fizike! Në komunitetin ku jetojmë jemi gjithmonë e më shumë të detyruar që të kalojmë orë të tëra në një vend të mbyllur, të vogël e të pa ajrosur, duke bërë të njëjtat gjëra: një nevojë që rezulton e dëmshme për trupin, sepse gjatë kohës mund të sjellë sëmundje, si: reumatizma dhe inflamacione kronike të gjymtyrëve. Të kalosh kohë në ajër të pastër, na ndihmon për të kuptuar mundësitë e çdo qelize të qenies sonë. Lëvizni duart, këmbët dhe qafën. Ecni, vraponi, pedaloni, merrni frymë. Aktivitete si joga, patinazhi, çiklizmi, vrapi, artet parciale dhe kërcimi ndihmojnë që të ushtroni trupin dhe mendjen.

Vëzhgoni frymëmarrjen

Të ecni ose të vraponi në një mjedis natyral, ju lejon që të perceptoni me intensitet agjentët atmosferikë dhe ndryshimet e klimës. Në ndryshim nga aktiviteti fizik në palestër, dielli dhe era që ndjeni, djersa në lëkurën e nxehur, ndjenja e lodhjes që gërshetohet me bukurinë e peizazhit janë një përkëdhelje e mirëfilltë për të rigjallëruar organizmin. Kur ju kaplon lodhja, shtrëngoni dhëmbët e rezistoni! Mund t’ia dilni. 

Papritmas do të zbuloni mrekullinë e një force të madhe që del nga thellësia e vetes: një lloj emocioni adrenalik. Ndërkohë që merrni frymë, imagjinoni oksigjenin që hyn në mushkëri dhe ju mbush me ngjyrë trupin. Mbyllni sytë dhe lëreni veten të udhëtojë në valën e mirëqenies që ju rrethon. Jemi qenie të përfshira nga frika, trishtimi, lumturia: keni të drejtë të ndjeni çdo emocion.

Përdorni pesë shqisat

Sipas studimeve të fundit, të dëgjosh muzikën e preferuar rrit rezistencën ndaj lodhjes dhe përmirëson performancën sportive. Zgjidhni këngët tuaja të preferuara, ato këngë që ju emocionojnë, dëgjojini dhe kërceni! Studiuesit sugjerojnë që këtë gjë duhet ta bëni edhe gjatë shtatzënisë, pasi muzika është një kanal i drejtpërdrejtë, që është e aftë të ndikojë edhe te bebet. Ndikon te rrahjet e zemrës, te tensioni i gjakut, ka efekte te frymëmarrja dhe ul nivelet e stresit, duke ndërvepruar me endorfinën. 

Kur keni nevojë të largoheni nga një moment i vështirë, mund të përdorni playlist-in tuaj të preferuar dhe izolohuni për disa momente, ecni. Studimet kanë treguar se mjafton të dilni në ajër të pastër për të përmirësuar gjendjen e stresit dhe ankthit. Afrohuni me pemët. Gërvishtni pak koren e saj, ndjeni aromën e luleve: momente të çmuara si këto, që kur jemi të vegjël i bëjmë shumë, gjatë rritjes shpeshherë harrohen. A e dini se të përqafosh pemët është konsiderohet si një formë e mirëfilltë terapie?

Kënaqësia e vetmisë

Të gjesh qetësinë, jashtë e brenda vetes, është luksi i vërtetë në një komunitet si tonin, i zhytur në zhurma, makina, ulërima e sirena. Tingujt e një biçiklete që ecën në një shteg, të qeshurat e një fëmije ose piklat e ujit që bien nëpër gjethet e pemës, janë një mantra (rritje e përqendrimit gjatë meditimit) që natyra përsërit vazhdimisht, çast pas çasti, sa herë që kemi kohë për të ndaluar dhe për të dëgjuar. 

Studimi i “Influence of Forest Therapy on Cardiovascular Relaxation in Young Adults”, botuar në vitin 2014, ka evidentuar se të ecësh në një mjedis të gjelbër ndihmon për të ulur mendimet negative dhe favorizon relaksimin kardiovaskular. Në Japoni quhet shinrin-yoku (banjë në pyll); një zakon që duhet kopjuar… edhe në park. Ajo që ka rëndësi është sjellja jonë mendore. Shfrytëzoni një pushim, ecni ngadalë, merrni frymë. Vëzhgoni atë që shihni, që nga fëmijët që luajnë deri te gjethet e rëna, ndieni diellin në lëkurë. Çdo moment është unik, shijojeni magjinë e tij të shkurtër.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top